Dy sulmet skandaloze ndaj Shtetit: sulmi i armatosur në gusht, dhe pamundësimi që kryeministri Mustafa të flasë në Kuvendin e Kosovës

30.11.2016 13:59:06

Nga Rexhep Kastrati

Vdekja e Astrit Deharit po shërben për një shfaqje mjerane në Kuvendin e Kosovës me aktorë kryesorë Kadri Veselin dhe sektën okulte të Albinit. Pas dështimit për ta fshehur të vërtetën për vdekjen e Astritit, pas rrenave të vazhdueshme dhe pas dështimit për të nxitur turmat kundër shtetit, sekta okulte e Albinit shfaqjen e ka bartur në Kuvendin e Kosovës, duke e kthyer sërish në një teatër absurd, në të cilin del në sipërfaqe zelli dhe shkumbëzimi gojor për ta devalvuar përfundimisht vdekjen e Astritit. Dhe brenda Kuvendit po luhet akti i përdhosjes, ose pjesa tjetër e aktit të dhunshëm të sulmit mbi Kuvendit, duke dëshmuar se sulmi brenda Kuvendit dhe sulmi jashtë Kuvendit janë dy  anë të të njëjtës medalje kriminale. Ajo që nuk u bë dot brenda Kuvendit me gaz lotsjellës dhe me bllokime të tjera, pra rrëzimi i tij dhe i institucioneve të tjera të shtetit, u provua të bëhej me sulm të armatosur kundër tij. Dhe për ironi sulmi mbi Kuvendin e Kosovës ishte maskuar si sulm i “rugovasve”, duke fyer dhe përdhosur emrin e mirë të rugovasve të vërtetë. Dhe ironia tjetër: sulmi mbi Kuvendin e Kosovës u pat dënuar edhe nga vetë sekta okulte e Albinit. Pra, sulmojnë natën, e të qajnë ditën. Pasi që historia e sulmit të Kuvendit mbërriti në atë shkallë sa të hante bijtë e vet, dhe pasi çështja u bë më serioze dhe tragjike, u rikthye në Kuvendin e Kosovës. Protaginistët e shfaqjes makabre tashmë nuk po fshihen, por kanë dalë vetë në skenë dhe po e bëjnë të qartë më shumë se më parë se vdekjen e Astritit po e përdhosin dhe po e përdorin si një mjet-bombë për të vrarë shtetin. Kulmi ishte sot kur njerëzit panë polemika të shpifura ndërmjet sektës okulte të Albinit dhe Kadri Veselit. Protagonistët e trazimeve dyvjeçare: Kadri Veseli dhe sekta okulte e Albinit, luajtën aktin e radhës tragjiko-komik, që për cak ka Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të shtetit. Tashmë të gjithë e panë skandalin kur kanakarja e Ramushit, e tash e sektës okulte të Albinit ia pamundësoi kryeministrit Mustafa që të fliste në Kuvendin e Kosovës. Dhe ky skandal është aq i qartë dhe i menaxhuar edhe nga Kadri Veseli. Është e qartë se këto skandale janë shprehje e dëshpërimit maksimal për faktin se sa më shumë që po kalon koha, aq më shumë po kuptohet dështimi i strategjisë për rrëzimin e shtetit, dhe gjithnjë e më të qarta po bëhen implikimet e protagonistëve kryesorë në intrigat kriminale ndaj shtetit. Dëshpërimi êshtë rritur edhe nga fakti se tashmë ka dështuar përpjekja për të paraqitur vdekjen e Astritit si vrasje nga shteti. Raporti shumë i qartë dhe i papërgënjeshteueshëm i Institutit të Mjekësisë Ligjore, thellimi i hetimeve për vdekjen e Astritit, kaherë kanë shkaktuar krizë të thellë sociopatike te sekta okulte e Albinit që e ka shtyrë këtë sektë nga gabimi në gabim dhe në vetëdemaskim.