Dyshime për trafik droge, mbytet gomonia 6 milje larg Sazanit

04.02.2017 12:24:11
U rrezikuan nga flakët në gomone dhe dallgët e detit, shpëtohen nga roja bregdetare dy skafistë italiani 39-vjeçar Palma Francesco dhe vlonjati Alfred Gjondeda 54 vjeç.
Rreth orës 19:40 minuta të së premtes ata kanë telefonuar policinë për ndihmë dhe ndërhyrja e rojes bregdetare me anijen “Lissus” i ka shpëtuar ata por pa mundur të ankorojë mjetin lundrues.

Sipas deklarimeve të tyre rezulton se kishin dalë për qejf në det por Policia Kufitare ka dyshime se dy të ndaluarit janë pjesë e një trafiku narkotikësh ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.

39-vjeçari italian në momentin e shpëtimit ka patur dëmtime në gjymtyrët e poshtme si pasojë e djegies me benzol ndërsa pas evakuimit ai ka marrë ndihmën mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën, shkruan Shqiptarja.com.

Gomonia me dy të shpëtuarit është pikasur 6 milje nga ishulli i Sazanit ndërsa dëmtimet e shumta që ajo kishte marrë e bënë të pamundur që mjeti lundrues të shpëtohej.