Dyshimet për korrupsion në tenderin e Autostradës së Gjilanit, ish sekretari i MI-së del të hënën para Gjykatës

11.03.2021 22:55:45

Betim Reçica, ish sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës do të dalë këtë të hënë para drejtësisë si i dyshuar për korrupsion.

Bashkë më Reçicën në bankën e akuzës do të ulën edhe tre zyrtarët aktual të MI-së, Mirdit Emini, Isa Berisha dhe Leonora Limani.

Lajmi.net ka mësuar se udhëheqës i seancës do të jetë, Musa Kongjeli, gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Seanca do të nisë në orën 9:30 të hënën.

Para një muaji, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçices, i cili dyshohet se ka kryer veprat ushtrim i ndikimit, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe shpëlarje të parasë.

Ndërsa ndaj të pandehurve I.B, L.L. dhe M.E., është ngritur aktakuzës për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. Të tre këta persona kanë qenë anëtarë të komisionit rivlerësues të tenderit ‘Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë’.

“Në aktakuzë, është propozuar edhe konfiskimi i pasurisë, gjegjësisht vetura të tipit ”Audi” F2 S7 Sportback, ngjyrë e zezë, viti i prodhimit 2019’, e cila gjatë fazës së hetimit ka rezultuar të jetë pasuri e fituar me vepër penale nga i pandehuri B.R.”, thuhet nga Prokuroria Speciale.

Para pak ditëve, Prokuroria ka ngritur një tjetër aktakuzë ndaj Reçicës.

Prokuroria Speciale i ka konsideruar si të jashtëligjshme shtesat financiare për një numër të madh zyrtarësh të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në aktakuzën e ngritur nga ky institucion kundër ish-sekretarit Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë përmenden edhe pagesat shtesë për zyrtarët. Për këtë çështje Prokuroria Speciale e ngarkon vetëm Reçicën.

Ky institucion ka renditur në tri pika të aktakuzës argumentet për këto pagesa duke i cilësuar si vepra penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare.

“U vërtetua dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Betim Reçica, më datën 02.10.2019, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në vazhdimësi, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij, ashtu që ka nxjerrë vendimin nr.10689 për pagesën e zyrtarëve për shërbime kontraktuese, me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar (shtesa në pagë) për zyrtarët”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Dy zyrtarë, sipas aktakuzës, janë caktuar nga Reçica në komisione për realizimin e projekteve kapitale, ndërsa kanë marrë shtesa në pagë nga 600, respektivisht 800 euro.

Ish sekretari i ministrisë është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale edhe për disa tender tjerë.