LDK pret kryetarin e ri, Haradinaj i gatshëm të shkojë në atë takim ku flitet për presidentin

11.03.2021 23:10:54

Njohësit e çështjeve politike dyshojnë se takimi i ftuar nga Kurti e Osmani prodhon rezultat.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për Presidente, Vjosa Osmani u kanë dërguar letër partive politike ku i ftojnë që me datë 15 mars (e hënë) të takohen për të diskutuar për konstituimin e institucioneve të vendit.

Mbajtja eventuale e një takimi të tillë sipas njohësit të çështjeve politike Blerim Burjani, nuk do të prodhojë ndonjë rezultat konkret.

“Është një vullnet i mirë i shprehur nga Lëvizja Vetëvendosje për t’i ftuar subjektet politike. Nuk besoj se subjektet tjera politike do të marrin pjesë në këtë takim…Këto debate duhet të bëhen në Kuvendin e  Kosovës pasi që ai të konstituohet”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Blerim Burjani.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë ditës ka thënë se është i gatshëm të shkojë në atë takim ku flitet për postin e presidentit.

“Nëse ka gatishmëri për bisedime, ne jemi të hapur. Opozitë jemi dhe do të jemi në shërbim të vendit”, ka deklaruar Haradinaj.

LDK në një përgjigje elektronike për RTV Dukagjinin ka thënë se diskutimet për presidentin do t’i bëjë kryetari dhe Kryesia e re e partisë.