Policia amerikane në Michigan ka publikuar një video rrëqethëse, ku shihet se si një dyvjeçar për pak sa nuk e humb jetën në pishinën e një hoteli në Livonia.
Në ato momente në pishinë gjendeshin dhjetëra të rritur dhe fëmijë. Ndërkaq, vogëlushi Kenvonte Thompson kishte shkuar me familjen e tij për të festuar 9-vjetorin e lindjes së motrës së tij.
Megjithatë në një moment ai rrëshqiti dhe përfundoi në pishinë ku po argëtoheshin fëmijët. Ai nuk arriti të qëndrojë mbi ujë dhe askush nuk e kishte vërejtur për disa sekonda, derisa një vajzë e pa se dikush po qëndronte në fund të pishinës dhe menjëherë alarmoi prindërit.
Aty menjëherë u fut në ujë një grua që filloi të bërtet “ju lutem telefonin ndihmës së shpejtë”, e dy infermiere që kishin dëgjuar britmat kanë arritur ta rikthejnë në jetë vogëlushin.
Ai është dërguar me urgjencë në spital për tretman të mëtutjeshëm. E policia ka paralajmëruar prindërit të jenë më të kujdesshëm, dhe t’i vëzhgojnë më shumë lëvizjet e fëmijëve të tyre.








































