E akuzuara për keqpërdorim detyre, e gatshme të hyjë në negociata për pranimin e fajësisë

07.02.2018 12:12:55
Zyrtarja e një banke të Kosovës, Mihane Plakaj, e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka deklaruar se është e gatshme që të hyjë në negociata me prokurorin Genc Nixha, për të arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Këtë deklarim, ajo e ka bërë të mërkurën në seancën e shqyrtimit fillestar, në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Por, më pas kjo seancë është shtyrë, pasi që e akuzuara Plakaj, ka deklaruar se ajo nuk i ka pranuar shkresat e lëndës.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, e ka shtyrë shqyrtimin fillestar për 1 mars 2018, në ora 10:00 dhe ka urdhëruar prokurorin, që në afat prej shtatë ditësh t’ia dërgoi të akuzuarës shkresat e lëndës.

Prokurori Genc Nixha, ka premtuar se do ta furnizoi të akuzuarën me shkresat e lëndës, duke thënë se është i hapur për të negociuar me të marrëveshjen për pranimin e fajësisë, pasi të merr aprovimin nga kryeprokurori.

Ndryshe, ky rast është transferuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt, sepse në këtë institucion punon një i afërm i të akuzuarës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, në dhjetor 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Mihrie Plakajt, të cilën e akuzon për keqpërdorim të pozitës zyrtare si punëtore e bankës “TEB”, dega në Ferizaj.

Sipas aktakuzës, e akuzuara duke shfrytëzuar pozitën e saj në bankën “TEB” ka shfrytëzuar kartelat e klientëve të bankës për të blerë gjera për nevoja personale, me ç’rast atyre u ka shkaktuar dëm në vlerë prej rreth 3100 euro.