E shtuna futbollistike në SuperSport

10.12.2016 09:42:18

E shtuna e futbollit në Europë do të zbresë në fushë disa prej ekipeve të mëdha të kontinentit me Realin e Madridit që do të luajë për herë të fundit në La Liga para nisjes për Botërorin e Klubeve që po zhvillohet në Japoni. Pikërisht sfida e los blancos është ajo më e rëndësishme e kësaj të shtune, me ekipin e Zidane që do të presin në shtëpi La Corunën me dëshirën për të konsoliduar më tej pozitat në krye. Gareth Bale do të vazhdojë të mungojë për madrilenët por gjithsesi ai është mungesa e vetme, ndaj një ekipi që Reali ka fituar në 6 përballjet e fundit në kampionatndaj dhe këtë herë nuk pritet të hasë probleme. Në orën 16:15 në Supersport do të transmetohet gjithashtu dhe takimi mes Sociedadit dhe Valencias, me ekipin e Prandellit që është në krizë të thellë dhe në një zonë shumë të rrezikshme në renditje ndaj ka nevojë për pikë dhe pse “San Sebastian” nuk duket si fusha ideale për të bërë rezultat.

Në Angli, sfida për të mos u humbur është ajo që do të luhet mes kampionëve në fuqi të Leicester dhe Man.City të Pep Guardiolës. Skuadra e Ranierit nuk po kalon aspak një moment të mirë dhe është shumë larg paraqitjeve të sezonit të shkuar, aq sa nuk fiton që prej muajit tetor dhe ndaj citizens vështirë se do të bëjnë të njëjtat paraqitje si vjet. City ka nevojë për t’u rikthyer te suksesi pas humbjes në ndeshjen direkte 3-1 ndaj Chelseat, ndërsa “dhelpërat” për një pikë që mund të shërbejë si oksigjen në fundin e renditjes por gjithashtu dhe për moralin.

Në Gjermani, do të kemi një derbi mes Këlnit dhe Dortmundit, që pas shumë vitesh përballen me njëra-tjetrën duke qenë të dyja në zona të rëndësishme në klasifikim. Ekipi i Këlnit ku Mavraj duhet të jetë titullar ka mungesa të shumta për këtë sfidë por dhe verdhezinjtë vujanë jo pak në infermieri, gjithsesi fakti që gjenden në pozita të barabarta e bën një ndeshje me shumë pritshmëri sa i përket spektaklit. Po në orën 15:30 do të zbresë në fushë dhe Bajerni i Mynihut që do presë Wolfsburgun, me dy ekipet që po kalojnë një formë diametralisht të kundërt në klasifikim ndaj fitorja e 3-të radhazi e bavarezëve nuk duket një problem, ndërsa sfida e fundit e së shtunës në Bundesligë është ajo e orës 18:30 mes Herthës dhe Werderit.

Në Serinë A pasditja do të jetë për Pescarën e shqiptarëve, Manaj, Memushaj dhe Maloku që do të luajnë në transfertë me Crotonen, ndërsa mbrëmja do të jetë për përballjes mes Sampdorias dhe Lacios. Në Francë do të luhet një klasike në orën 17:00 mes Bordeaux dhe Monacos, me skuadrën monegaske që po kalon një formë të shkëlqyer por përballë zhirondinëve nuk do ta kenë të lehtë, ndërsa nga Eredivisie në orën 19:45 propozohet sfida mes PSV Eindhoven dhe Go Ahead Eagles.