Policia në aksion për kapjen e “Baronit të drogës në Ballkan”

10.12.2016 09:40:49

Ka nisur sot në orët e para të mëngjesit, një operacion për kapjen e Kelmend Balilit, të njohurit si “Baroni i drogës në Ballkan”. Dy policia janë angazhuar në operacion, ajo e Sarandës dhe e Gjirokastrës, që kanë kontrolluar së pari, bizneset e tij.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për pasurinë e Klement Balilit, pas mbërritjes në Shqipëri të dosjes 10 mijë faqe nga Greqia.

Në bazë të ligjit antimafia, hetuesit do të verifikojnë pasurinë e ish-zyrtarit në Sarandë. Balili akuzohet zyrtarisht për veprën penale, trafikim të lëndëve narkotike në shtetin fqinji së bashku edhe me disa persona të tjerë shqiptare të arrestuar më herët. I cilësuar nga grekët si ‘Escobari i Ballkanit, Klement Balili zotëron kompleksin luksoz në Sarandë, “Santa Quaranta”.

balili-klemend1_1

Ne dosjen greke thuhet se ka dyshime se 46-vjeçari ka ndryshuar identitet. Sipas hetuesve, ai fshihet në zonën e Sarandës duke pasur edhe mbrojtjen e policisë lokale. Për ta forcuar këtë akuzë, prokurorët grekë kanë shkruar në dosje se të dielën e 16 tetorit 2016, Balili kishte kaluar drejt shtetit maqedonas nëpërmjet pikës kufitare të Tushemishtit, me kartë identiteti të ndryshuar, ndërkohë që ishte kthyer po atë ditë në mbrëmje në vendlindje, raporton Vizion Plus.

Transporti i trafikantit të drogës ishte bërë me autobusin e linjës, duke mos tërhequr edhe vëmendjen e autoriteteve kufitare. Përveç kërkesës për arrestim ndaj Balilit, në fillim të muajit nëntor mbërritën në Tiranë edhe 2 prokurorë grekë, të cilët kanë kërkuar intensifikimin e hetimeve pasurore për familjarët e 46-vjeçarit që jetojnë në disa vende të BE, si Itali e Gjermani. Prej 6 muajsh, Klement Balili është shpallur në kërkim nga Greqia.