E shtuna në Supersport vjen me superpërballje

14.10.2017 10:31:35

Stadiumi i ri i “bardhekuqve” do të presë për herë të parë duelin Atletico Madrid – Barcelona, ndeshje që do të luhet në orën 20:45 dhe natyrisht përbën edhe sfidën më të fortë të javës së tetë, në kampionatin spanjoll. Nën drejtimin e Ernesto Valverdes skuadra blaugrana vazhdon të bëjë përpara me 100% të pikëve, teksa ka fituar 7 nga 7 ndeshjet në dispozion në Primera Division. Një ecuri e tillë ka krijuar menjëherë epërsinë e shtatë pikëve në tabelën e renditjes dhe për hir të së vërtetës mungesa e lojtarit të marrë plot bujë nga Borusia e Dortmundit Ousmane Dembele nuk po ndihet aspak. Në krahun tjetër në pamje të parë duket sikur “los colchoneros” kanë humbur urinë dhe grintën e dikurshme, megjithatë “Atleti” për momentin qëndron në vendin e katërt, me një pikë më shumë se rivalët e përjetshëm të kryeqytetit dhe vetëm një pikë më pak se Sevilja, që pozicionohet në vendin e dytë. Ekipi i Diego Simeones paraqitet në këtë ndeshje pas barazimit zhgënjyes 0-0 me Leganes, gjithsesi deri më sot në “Ëanda Metropolitano” bardhekuqtë i kanë fituar që të dy takimet e ligës spanjolle.

Fakt interesant është që pas Seviljes Atletiko është viktima e preferuar e Lionel Mesit, kundërshtar ndaj të cilit sulmuesi argjentinas ka shënuar plot 22 gola, për më tepër Barca në kryeqytet ka fituar 5 nga 6 përballjet e fundit ndërmjet tyre. Në Itali është java e derbit të Madoninës, gjithsesi në orën 20:45 Serie A ofron gjithashtu “derbin e jugut”, Roma – Napoli që vendasit ndryshe e quajnë edhe “derbi del Sole”. Klubi nga Kampanja këtë herë paraqitet me petkun e ekipit favorit, por gjithsesi në “qytetin e përjetshëm” Roma ka fituar 5 nga 6 përballjet e fundit ndërmjet tyre. Në kampionatin italian “të kaltërit” e Sarrit kryesojnë pas shtatë javëve të para me pikë të plota, me dy pikë më shumë se dyshja Juve – Inter. Pavarësisht se luhet në “Olimpiko” trajneri Di Francesco duhet të mendojë për të ndërtuar një formacion në gjendje për të rivalizuar me Napolin, duke patur parasysh mungesat si dhe problemet e shumta fizike të një pjesë të mirë të lojtarëve. Të dy ekipet paraqiten në këtë sfidë pas pesë fitoreve rresht në të gjitha kompeticionet, gjithsesi të dyja skuadrat do të kenë impenjime të rëndësishme në mesjavë në Kupat e Evropës ndaj klubeve angleze, sidomos ekipi i Sarrit, që do të luajë të martën në Etihad ndaj City-t të Guardiolës.

Më herët në orën 18:00 pas hapit të gabuar në Bergamo me Atalantën kampionët në fuqi të Juventusit do të bëjnë cmos për t’u hakmarrë ndaj Lacios, për humbjen e dy muajve më parë në Superkupë, me dy skuadrat që për momentin ndahen nga vetëm tre pikë në klasifikimin e përgjithshëm, ndërkaq gjysmë ore më vonë në Primera Division pritet me shumë interes edhe derbi bask Deportivo Alaves – Real Sociedad. Kampionët në fuqi të Realit kanë presionin për të zbritur përpara në fushë, teksa në orën 16:15 do të zhvillojnë në Coliseum Alfonso Perez derbin me Getafe-n. Eredivisie ofron në orën 18:30 takimin Ajax – Sparta, ndërsa në orën 20:45 Feyenoord-i do të presë në Rotterdam Zwolle-n . Në Le Championnat ndeshja e orës 17:00 shikon për protagonist klubin që po dominon futbollin francez Paris SG, me skuadrën e Unai Emery që do të vizitojë në Stadiumin Gaston – Gerrard ekipin e Dizhonit, ndërsa nga kampionati gjerman të apasionuarit do të kenë mundësinë për të ndjekur takimet Bayern – Freiburg në orën 15:30 si dhe Dortmund – Leipzig në 18:30, ndeshje të cilat si zakonisht do të mund t’i ndiqni në Supersport, nëpërmjet kanalit Eurosport 2.

Dy skuadra si Parma dhe Pescara që ushqejnë ambicie për t’u rikthyer në elitën e futbollit italian të klubeve do të përballen në Tardini në orën 15:00 në Serinë B, ndërkaq dita në Supersport starton me dy ndeshje për të mos t’u humbur si Athletic Bilbao – Sevilla në orën 13:00, ndërsa gjysmë ore më vonë do të luhet derbi i Anglisë Liverpool – Manchester United, me trajnerin e “djajve të kuq” Jose Mourinho që nuk fiton një ndeshje jashtë fushe ndaj skuadrave të gjashtëshes së parë, të pagëzuar “big six”, që nga triumfi i famshëm i 27 prillit të vitit 2014, që i hoqi klubit nga Merseyside edhe mundësinë për të siguruar titullin e parë në historinë e Premier League-. /supersport.al /