Edhe Ardian Gjini po thotë se Vetëvendosje është me axhendë anti-shtetërore si Serbia

08.09.2016 15:33:27

Nënkryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini ka theksuar se është punuar gjatë dhe shumë që të bindemi për mundësinë e funksionimit si shtet i pavarur.

Gjini ka theksuar se për tridhjetë vjet, Serbia ka provuar të na bind (me dhunë) se ndoshta e kemi vullnetin por se nuk do të mund të funksionojmë, transmeton Indeksonline.

Nënkryetari Gjini ka thënë se e sheh si tragjedi faktin se ka shqiptarë të Kosovës, që pas shpalljes së pavarësisë provojnë të na bindin të gjithëve se Serbia ka pasur të drejtë, transmeton Indeksonline.

Ndryshe, ky reagim i Adrian Gjinit vjen pas disa shkrimeve të disave prej anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktivistëve të saj, përfshirë edhe kreun e saj Visar Ymeri, i cili ishte i pari që nisi këto polemika me një postim të tij në Facebook ku uroi vetëm Kombëtaren e Shqipërisë në futboll duke injoruar atë të Kosovës.

Ky është postimi i plotë: 

 

 

Më shumë se tridhjetë vjet, më shumë se një gjeneratë, kemi punuar që së pari ta bindim vetveten e pastaj edhe gjithë botën se e kemi edhe vullnetin edhe mundësitë që të funksionojmë si shtet i pavarur dhe sovran. Tridhjetë vjet, Serbia ka provuar të na bind neve (me dhunë) dhe gjithë botën (me rrena propagandistike) se ndoshta e kemi vullnetin por se nuk do të mund të funksionojmë.

Unë e shoh si tragjedi faktin se ka shqiptarë të Kosovës, që pas shpalljes së pavarësisë, provojnë të na bindin edhe neve edhe botën se,… Serbia paska pasur të drejtë.

Budallallëku brina nuk ka.

Kërkoj falje por kjo histeri antishtetërore nga brenda më së buti thënë është budallallëk par excellence.