Edhe mësimdhënësit e shkollës “Elena Gjika” i bashkohen grevës

14.01.2019 10:37:26

Stafi i shkollës fillore “Elena Gjika” një ditë më parë dolën me qëndrim kundër grevës në arsim dhe thanë se në këtë shkollë procesi mësimor do të mbahet i rregullt.

Por gjatë ditës së sotme drejtori i kësaj shkolle, Betim Sylejmani ka njoftuar se kanë ndryshuar mendje.

Ata kanë vendosur që t’i bashkohen grevës të cilës tashmë iu janë bashkuar të gjitha institucionet shkollore në nivel vendi.

Sylejmani,  tha për KosovaPress se për herë të parë pas 10 vitesh, mësimdhënësit e kësaj shkolle u bënë pjesë e sindikatave të arsimit, e me këtë rast vendosën ta zbatojnë vendimin e tyre.

“Dje kishin vendosur të mos hynin në grevë, por sot iu bashkuan grevës. Pas mbledhjes së Këshillit të arsimtarëve, ata morën dy vendime, t’i bashkohen sindikatave të arsimit dhe njëherësh të hynë në grevë si të gjitha shkollat e Kosovës”, ka thënë Sylejmani.

Por, sipas tij, greva nuk është mjeti i duhur, pavarësisht se respekton vendimin e mësimdhënësve.

“Sipas meje asnjë orë nuk duhet të humbet, por unë jam vetëm drejtor dhe si i tillë më duhet ta respektoj vendimin e mësimdhënësve”, ka shtuar Sylejmani.

Ndryshe, vendimi për grevë erdhi si pasojë e pakënaqësisë së mësimdhënësve kundrejt koeficientit të pagave dhe SBAShK-u ka paralajmëruar që greva në arsim mund të zgjasë me muaj nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.