Edhe Nisma dhe LDK-ja pësuan rënie në Drenas

05.12.2016 18:52:31

Tashmë kanë nisur interpretimet politike për t’i përkthyer në favor të njërit apo tjetrit subjekt politik rezultatet e zgjedhjeve të djeshme në Drenas.

Në favor të tyre, varësisht prej grupeve të interesit pas të cilave fshihen, njërës apo tjetrës po ua ndihmojnë edhe disa të ashtuquajtur analistë. Këta të fundit, këtë po e bëjnë më shumë me deklarata politike sesa me deklarata të bazuara në analizë.

Por, për të qenë realistë, Partisë Demokratike të Kosovës nuk ia kanë marrë asnjë votë subjektet e tjera politike.

Këtë të fundit e ka dëmtuar vetëm kandidati i pavarur Xhevat Drenori dhe dalja e vogël e qytetarëve në zgjedhje.

Madje, edhe Nisma për Kosovën, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë pësuar rënie në vota krahasuar me zgjedhjet lokale në vitin 2013.

Në zgjedhjet lokale për kryetar komune në Drenas, në vitin 2013, Nisma për Kosovën kishte marrë 5, 614 vota, kurse në zgjedhjet e djeshme mori 5, 333 vota. Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës në vitin 2013 mori 1,165 vota për kryetar komune në Drenas, kurse në zgjedhjet e djeshme mori më pak vota, përkatësisht 1072 vota.

Kandidati i pavarur Xhavit Drenori ka arritur të marrë 2560 vota ose 12, 12 për qind, kurse pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ishte 24 mijë e 362 votues, kurse dje ishte 21 mijë e 318 votues.