Edhe një aspekt tjetër ku Kosova po dëmtohet nga taksa ndaj Serbisë

25.01.2019 00:46:17

Taksa 100 për qind e Kosovës ndaj produkteve serbe, siç duket po kthehet në dëm të Kosovës.

Mosmarrëveshjet publike sa i përket tarifës së imponuar për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina po minojnë pozicionin negociues të vendit, ka treguar një ekspert.

Disa të tjerë thonë se mosmarrëveshjet midis udhëheqësve të Kosovës mbi tarifën 100 për qind të importeve nga Serbia dhe Bosnja po dëmtojnë qëndrimin e Kosovës dhe mendojnë se mospajtimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj shprehin nevojën për një marrëveshje të brendshme, shkruan BIRN, transmeton lajmi.net.

Presioni mbi Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare për të tërhequr taksën e importit ka sjellë qëndrimet e ndryshme të zyrtarëve të saj të lartë.

Presidenti Thaçi i ka bërë thirrje qeverisë së Haradinajt që të respektojë këshillat e SHBA-ve dhe të tërheqë taksën, duke vënë në dukje se SHBA-ja është e shqetësuar për zhvillimet aktuale dhe për disa veprime të ndërmarra nga institucionet e Kosovës.

“Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit”, shkroi në Facebook Thaçi.

Ai shtoi se asnjë dëshirë personale e ndonjë udhëheqësi shtetëror nuk guxon të dëmtojë interesin shtetëror të vendit dhe interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe më gjerë.

“Veprimet populiste nuk duhet të ndërhyjnë në vizionin e Kosovës dhe në vendimet strategjike. Cënimi i raporteve me SHBA-të, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cënimit të shtetit tonë”, shkroi Thaçi.

Presidenti Thaçi tha para pak ditësh për “The Washington Post”, se Kosova duhet të “marrë parasysh heqjen e tarifave, nëse hapet një mënyrë e qartë për të arritur një marrëveshje përfundimtare të paqes me Serbinë”.

Kryeministri Haradinaj ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se kjo nuk do të ndodhë derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Ne mund ta heqim atë [taksën e importit] sot … por kurrë nëse Serbia nuk është e gatshme të njohë Kosovën”, tha Haradinaj të mërkurën e kaluar.

Aleati kryesor i Kosovës javën e kaluar i bëri thirrje vendit të “pezullojë menjëherë” vendimin mbi taksat.

“Siç kemi thënë më herët, ne nuk mendojmë se Kosova përfiton asgjë nga kjo masë”, ishte porosia e përsëritur disa herë e ambasadës së SHBA-së.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Begjet Pacolli i tha televizionit publik RTK, të mërkurën e kaluar, se Kosova nuk mund të kundërshtojë një kërkesë të qartë të Shteteve të Bashkuara, transmeton më tutje lajmi.net.

“Unë nuk besoj se kryeministri Haradinaj do të vepronte kundër interesave të Amerikës,” tha Pacolli, duke shtuar se ai do ta këshillojë atë që të marrë në konsideratë kërkesën e SHBA.

Qëndrimi i Haradinajt për këtë çështje dukej se u zbut më 14 janar, kur ai kërkoi vetëm një “garanci” për njohjen e ardhshme nga Serbia.

“Qeveria e Kosovës do të heq përkohësisht taksën nëse bashkësia ndërkombëtare garanton se ne do të ulemi dhe të nënshkruajmë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë e cila duhet të rezultojë në njohjen reciproke”, shkroi ai në Facebook.

Duke folur për diplomacinë, Pacolli pranoi se pozicionet e ndryshme të presidentit dhe kryeministrit kanë krijuar një konfuzion të caktuar në lidhje me dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht vendosi një taksë prej 10 për qind mbi mallrat serbe dhe boshnjake më 6 nëntor, duke përmendur “sjelljen negative” të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës dhe fushatës së saj ndërkombëtare kundër njohjes së Kosovës.

Vendimi për të rritur këtë në 100 për qind u bë më 21 nëntor të vitit 2018.

Vendimi erdhi një ditë pasi Kosova dështoi të siguronte mbështetjen e dy të tretave të 192 shteteve anëtare të INTERPOL-it për t’u bashkuar me organizatën ndërkombëtare të policisë, dështimi i cili erdhi pas lobimit të Serbisë .

Kosova është akuzuar për shkelje të marrëveshjes për tregti të lirë të CEFTA-s.

Por Qeveria deri më tani i ka rezistuar presionin ndërkombëtar për të anuluar taksën.