Edi Rama: Me 18 qershor të nxjerrim shejtanin nga gjykatat

23.04.2017 13:24:31

Kryeministri Edi Rama sulmoi edhe sot sistemin e drejtësisë, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve që me 18 qershor të nxjerrin së bashku shejtanin nga gjykatat. Nga Finiqi ku shpërndau leje legalizimi për minoritetin grek të zonës, Rama tha se frika nga vettingu ka mbyllur opozitën në çadër, ndërsa kërkoi ndihmën e kishës për të sjellë Vangjel Dulen në rrugën e Zotit, pasi sipas tij ja ka marrë mendjen shejtani.

“Kaosi me pronat nuk është vetëm çështje e mungesës së vizionit dhe dashurisë për këtë vend. Por edhe rezultat i një sistemi drejtësie që ka 27 vjet që është pazar i gjësë së gjallë. E dini shumë mirë që prona që të ka lënë stërgjyshi mund të ikë nga duart se del një gjykatës atje, dhe veçse kur të vinë këtu pronarët e vjetër që dreqi e di se çlidhje kanë me zonën, por në fakt dreqi është në gjykatë. Shejtani pa bukë është në gjykatë.

Duhet të nxjerrim shejtanin nga gjykatat. Është shumë e rëndësishme që ne të bëhemi të gjithë bashkë për të nxjerrë shejtanin nga gjykata. Vettingu që i ka detyruar ata të futen në çadër bashkë me Vangjelin, nuk e di Vangjeli çfarë bën atje? Vettingu është sot Shën Thomai, nuk është Shën Vangjeli. Shën Jorgua dhe Shën Thomai. Ça bën Vangjeli në çadër, gjumë nuk fle ai? Se unë e njoh, e kam dhe mik por na ka ikur në drejtim të paditur. Vetëm ju mund ta sillni në rrugën e Zotit Vangjelin, ju të kishës. Ne i kemi bërë përpjekjet por nuk funksionon, ja ka marrë mendjen shejtani”, tha ai.

Kryeministri premtoi se do të çojë përpara edhe procesin e regjistrimit të tokave. Kryeministri akuzoi qeverisjen e kaluar se nuk ka bërë asgjë në drejtim të procesit të legalizimeve.  “Në 8 vjet këtu janë bërë vetëm 6 legalizime, katër janë klube, një karburant dhe vetëm një shtëpi. Legalizimet janë bërë gjithmonë në të shkuarën vetëm për biznes”, përfundoi Kryeministri.