Edita Tahiri i përgjigjet ultimatumit të Vuçiqit: S’ka Asociacion…

26.12.2016 21:08:19

Ministrja për Dialog Edita Tahiri, kohë më parë kishte deklaruar se nuk do të ketë hartim të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe para se Kosova ta ketë Kodin shtetëror telefonik të saj.

Mirëpo, pavarësisht që Kosova javën e kaluar ka marrë këtë kod dhe ky i fundit është publikuar në buletinin e ITU-së, ende nuk është bërë asnjë lëvizje sa i përket hartimit të statutit të Asociacionit, raporton Tribuna Channel.

Që hartimi i këtij statuti nuk ka filluar ende ka konfirmuar vetë ministrja Tahiri.

Ndërsa këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, njëherësh zëvendësministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, përkujton se ende ekzistojnë marrëveshje që janë arritur mes Kosovës dhe Serbisë që duhet të zbatohen paraprakisht, në mënyrë që të mund të diskutohet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

A do të presin serbët deri në Sretenje (festa ortodokse qe festohet më 15 shkurt), e më pas vetë do të formojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ashtu siç ka paralajmëruar sot Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq sot nuk është përgjigjur qartësisht, duke thënë se kjo është njëra nga idetë.

Ai, megjithatë, ka paralajmëruar se janë duke e pritur përgjigjen e shqiptarëve dhe të bashkësisë ndërkombëtare, që mos të shkohet më forcë për këtë tregim, kështu që ai sigurisht festën e Krishtlindjes ortodokse do ta pres me serbët në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Kjo është njëra nga idetë. Do të presim deri në Sretenje. Por ju e keni marrëveshjen e Brukselit, keni obligime që i keni marrë dhe ata në vend që të merren me përmbushjen e obligimeve të veta, tentojnë të merren me blerjen e serbëve”, ka thënë Vuçiq.