Ekonomi, takim me donatorët e turizmit: Projektet të jenë të koordinuara

24.01.2017 16:46:03

Në datë më 23 janar 2017 u organizua takimi i dytë me donatorët për sektorin e turizmit, i cili u drejtua nga Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues nga organizata të ndryshme ndërkombëtare: EUD, IFC, Bashkëpunimi Italian për Zhvillim, BERZH, Ambasada Gjermane në Tiranë, Ambasada e Zvicrës etj.

Në fjalën e saj hyrëse, Ministrja Ekonomi informoi donatorët për aktivitetet më të fundit në fushën e turizmit gjatë këtij muaji, pikërisht për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Panairet Utrehtit, Shtutgartit dhe Madridit, të cilat i cilësoi të suksesshme për promovimin e turizmit shqiptar.

Në vijim ajo bëri një përmbledhje të punës së realizuar gjatë 2016 në kuadër të turizmit, duke theksuar faktin që 2016 ka qenë një vit shumë i suksesshëm për turizmin.  Ministrja Ekonomi theksoi se gjatë periudhës Qershor-Gusht 2016 e vizituan Shqipërinë 2.317 milionë shtetas të huaj, duke shënuar një rritje prej 19.7% krahasuar me vitin 2015. Gjithashtu, të ardhurat nga shpenzimet e turistëve kapën shifrën 521 milionë Euro, duke shënuar një rritje prej 26% për të njëjtën periudhë krahasuar me 2015. Fluturimet Charter ishin 119, ndërsa të ardhurat nga vizitorët në muze, parqe dhe monumente kombëtare  u rritën me 16%.

Ajo shtoi se janë miratuar më shumë se 20 akte nën ligjore në kuadër të ligjit “Për turizmin” dhe tashmë ka nisur zbatimi i ligjit për të formalizuar tregun e turizmit. Ekonomi infirmoi se tashmë ky proces ka nisur, ku agjencitë e udhëtimit po ndahen nga operatorët turistikë përmes regjistrimeve për të marrë licencat përkatëse në QKB. Gjithashtu, brenda muajit shkurt do të çertifikohen udhërrëfyesit e parë turistikë si dhe do të nisë standardizimi i strukturave akomoduese, përmes një procesi vetdeklarimi të tyre.

Më pas u prezantua Strategjia për Zhvillimin e Turizmit 2017-2022, e cila fokusohet në 5 drejtime strategjike: (i) zhvillimi i produkteve turistike; (ii) zhvillimi i kapaciteteve njerëzore; (iii) investimeve; (iv) marketimi dhe  (v) menaxhimi i procesit;

Gjithashtu u paraqit dhe matrica ose inventari i gjithë projekteve të donatorëve të turizmit, dhe iu bë thirrje që thirrje që ata të përditësojnë informacionet e tyre dhe t’ia paraqesin Ministrisë.  Ministrja Ekonomi theksoi se komunikimi dhe koordinimi mes gjithë institucioneve apo grupeve të interesit që merren me turizmin është mënyra më e mirë për të prodhuar projekte të përbashkëta që shkojnë në të njëjtën linjë me objektivin e Qeverisë për të zhvilluar këtë sektor të rëndësishëm për Shqipërinë.

Takimi u karakterizua nga një interesim aktiv nga ana e organizatave ndërkombëtare të cilat shprehën vlerësimet për punën dhe përpjekjet e ndërmarra nga ministria për promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit të vendit.