Ekstradohet nga Belgjika i dënuari për vrasje

29.07.2017 13:13:55

Specialistët e Interpol Tirana, në bashkëpunim me  ata të Interpol Bruksel, bënë të mundur ekstradimin nga Belgjika, të shtetasit shqiptar Levent Bregu, 40 vjeç, lindur në Berat.

Shtetasi Levent Bregu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Berat, e ka dënuar me 17 vjet, 7 muaj dhe 18 ditë burgim, për veprën penale, “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje, të armëve të zjarrit”, parashikuar nga nenet 76, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal të Repuplikës së Shqipërisë.

Bregu u dënua për një ngjarje të ndodhur në mars të vitit 1997, në fshatin Veterrik, të Beratit. Më datë 27.03.1997 shtetasi Levent Bregu, së bashku me xhaxhain e tij, kanë vrarë me armë zjarri shtetasen M.H., si dhe kanë tentuar të vrasin shtetasin D.H.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Bruksel/Belgjikë, u bë i mundur arrestimi i tij në Belgjikë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt shqipërisë.