Ekstremistët pengojnë shfaqjen e veprës kushtuar viktimave të luftës në Kosovë

03.10.2017 16:24:51

Thirrja e myezinit, e inkorporuar në veprën e njohur muzikore “The Armed Man: A Mass of Peace” ka qenë shkas për një grup ekstremistësh rumunë që të pengojnë shfaqjen në Operën Nacionale në Kluj të Rumanisë.

Kënga e muezinit (imami që e thërret ezanin) është pjesë e kompozicionit muzikor skenik “The Armed Man: A Mass for Peace”, të autorit uellsian, Karl Jenkins. Kjo vepër komplekse muzikore është krijuar në vitin 2000 dhe u është kushtuar viktimave të luftës në Kosovë. Në këtë vepër muzikore ka fragmente dhe citime nga kultura dhe besime të ndryshme të botës, në mesin e të cilave edhe ritin e përmendur mysliman.

Pesë personat, në mesin e të cilëve edhe një përfaqësues i grupimit radikal “Noua Dreapta” (E Djatha e Re) ishin ulur në mesin e publikut dhe, kur në skenë u paraqit myezini, ata filluan ta këndonin me zë të lartë himnin e Rumanisë “Zgjohu rumun”. Policë të maskuar i nxorën ata nga salla dhe me atë rast iu shqiptuan gjoba jashtëgjyqësore, njofton agjencia rumune e lajmeve Mediafax.

Qyteti Cluj, në saje të bashkëjetesës shekullore në mes të rumunëve, hungarezëve dhe gjermanëve konsiderohet si bastion i multikulturës dhe magnet për dashamirësit e arteve, kulturës dhe muzikës, transmeton albinfo.ch. Nga ky aspekt ai është i krahasueshëm edhe me kryeqytetin, Bukureshtin.

Organizata “Noua Dreapta” është një grup i vogël jashtëparlamentar që zhvillon aksione spektakolare për të rënë në sy.