Policia dhe Dogana në aksion kundër kontrabandës me mallra

22.02.2017 16:07:24

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar sot ka asistuar Doganat e Kosovës në një operacion kontrolli, nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale ‘kontrabanda me mallra’.

Sipas një njoftimi, operacioni policor i filluar në rajonin e Mitrovicës është zgjeruar edhe në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, gjegjësisht në shtatë lokacione të ndryshme.

Gjatë operacionit policor janë kontrolluar katër shtëpi banimi si dhe objektet përcjellëse të tre personave të dyshuar si dhe tri subjekte afariste. Në këtë operacion policor nuk është arrestuar asnjë person.

Bëhet e ditur se operacioni është udhëhequr dhe realizuar nga Doganat e Kosovës, e asistuar nga DHKO-ja, ATK-ja dhe mbështetje kanë ofruar edhe njësitë policore: Njësia Speciale Operative (NJSO-ja) dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë të DRP Mitrovicë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: një telefon celular, tri sim-kartela dhe disa dokumentacione të ndryshme që mund të shërbejë në procedura të mëtejme. Po ashtu është gjetur dhe konfiskuar edhe mall i padeklaruar. Me procedura të mëtejme do të merren inspektorët nga ATK-ja.