Emërohet rruga më e re në Prizren, rruga “Jon Harrison”

19.10.2016 15:26:24

Për nder të kontributit që ka dhënë gjatë luftës së fundit në Kosovë, si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komuna e Prizrenit ka nderuar britanikun Jon Harrison. Nga sot, një rrugë në lagjen ‘Jeni Mahallë’ të kësaj komune, do të mbajë emrin e tij.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka vlerësuar lartë kontributin që ka dhënë ushtari britanik në luftën e UÇK-së.

Muja tha se Harrison është luftëtar i lirisë, i cili luftoi për idealin më të shtrenjtë në botë, lirinë e individit nga okupimi.

Në anën tjetër, ushtari i UÇK-së nga Britania e Madhe, Jon Harrison, fillimisht kërkoi një minutë heshtje për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Ndërsa, i cilësoi si heronj, komandantët e UÇK-së, Rrustem Berisha e Anton Çunin, shërbimi ndaj të cilëve tha se ka qenë nder i veçantë.

Gjatë ceremonisë së sotme, Jon u anëtarësua në Lidhjen Demokratike të Kosovës, dega e dytë e LDK-së në Prishtinë.

Po ashtu, Komuna e Prizrenit, ndau edhe mirënjohje falënderimi dhe dhurata simbolike për ish-ushtarin e UÇK-së.