Endokrinologu Elton Bahtiri del kundër Hetem Ramadanit: Diabeti është i pashërueshëm

10.05.2018 19:48:47

Endokrinologu Elton Bahtiri ka sqaruar se sëmundja e diabetit është e pashërueshme. Sipas tij, mjekimi përmes mjekisë alternative dhe dietave po i vë në rrezik komplet pacientët.

Këtë reagim ai e ka bërë pas publikimit të fotos së një grupi të mjekëve, e interpretuar si sfidim ndaj Hetem Ramadanit, si gjoja themelim i “njësitit” kundër tij.

Ky është reagimi i tij i plotë:

Një postim kryekëput satirik në facebook, i shoqëruar me një foto të punëve tona të përditshme në Kliniken e Endokrinologjisë, është mediatizuar pa lejen/konsultimin paraprak të askujt prej nesh të apostrofuarve.

Sa i përket ‘shërimit të mjekut” në fjale, endokrinologet e kane kundërshtuar dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë pretendimin sharlatanesk të shërimit të Sëmundjes së Sheqerit duke larguar në tërësi barnat antidiabetikë dhe insulinën. Trajtimi me ushqime/dieta është pjesë e rëndësishme e mjekimit për të mbajt nën kontroll sëmundjen e sheqerit. Sidoqoftë, për momentin sëmundja e sheqerit është e pashërueshme (mjekimi dhe shërimi janë dy terme me kuptime të ndryshme). Prandaj, një pretendim i tillë sidomos te sëmundja e sheqerit – tipi 1 i sëmundjes, që shfaqet në fëmijë dhe të ri, dhe në të cilët insulina është e domosdoshme me që mungon pothuajse plotësisht prodhimi i brendshëm i saj, është duke i venë në rrezik për komplikime pacientet, dhe shumë shpejt mund të ketë edhe denoncime përkatëse nga vet ata.