Enrique nuk flet për të ardhmen: Fokusi te Gijoni

28.02.2017 16:50:05

Me pak dëshirë për të folur, i thatë, konciz dhe ironik në përgjigjet e tij. Kështu u shfaq Luis Enrique në konferencën për shtyp në vigjilie të ndeshjes së rradhës në La Liga mes Barcelonës dhe Sporting Gijonit. Trajneri asturian nuk tha asgjë për të ardhmen ndërkohë që ua bëri të qartë që në fillim gazetarëve, se nuk do ti përgjigjej asnjë pyetje që mund të krijojë polemika më pas. Luis Enrique e konsideroi sfidën ndaj Sporting Gijon si shumë të rëndësishme për ecurinë e Barcës në kampionat.

” I fryrë kështu ndihem. Nuk do të gjeja dot një mbiemër tjetër për të përshkruar gjëndjen time në këto momente. Ndeshja e rradhës ndaj Gijonit është vendimtare për një arsye të thjeshtë, nuk duam të humbasim më pikë në kampionat dhe këto lloj sfidash duhet ti fitojmë patjetër. Ata kanë ndërruar trajnerin dhe Gijoni sa herë luan ndaj Barcelonës, kthehet në një skuadër të rrezikshme kështu që duhet të jemi shumë të vëmendshëm”.

Më pas Luis Enrique e kthehu vëmendjen nga ndeshja e fundit ndaj Atleticos së Madridit, të cilën Barcelona e fitoi me rezultatin 2-1 brenda në Vicente Calderon, ndërsa nuk preferoi të fliste për arbitrat.

” Duke parë vështirësinë e kundërshtarit, ndaj Atleticos morëm tre pikë jetësore për ecurinë tonë në kampionat. Në atë sfidë jo vetëm që fituam por u përpoqëm të përmirësoheshim dhe besoj se ia arritëm qëllimit.  Kemi ende mundësi për të treguar se dimë të luajmë më mirë, por jo gjithmonë skuadra mund të ruajë të njëjtin ritëm. Arbitrat? Nuk kam asgjë për të thënë ju e dini tashmë opinionin tim në lidhje me gjyqtarët”. /supersport.al/