Enveri porosi Kadri Hazbiut: Kujdes serbët

29.05.2019 18:40:14

Informacion “tepër sekret” mbi ushtrinë jugosllave. Përqendrimi më i madh i trupave me Shqipërinë

Militarizimi i Kosovës pas ngjarjeve të vitit 1981. Rusët dhe amerikanët hezitojnë tu japin sllavëve armatim modern

Që prej vitit 1981, kur Populli Shqiptar që ishte i pushtuar ne Jugosllavi kishte vershuar rruget dhe kerkonin Republiken e Kosovës dhe te jen te barabart me Popujt e tjere ne Republikat e Jugosllavis, ndërsa demonstrimet e studentëve në Prishtinë arritën kulmin me thirrjet “Kosova Republikë” dhe u shpeshtuan dhe kerkesa qe Kosova dhe viset e tjera te Shqiptarve nen Jugosllavi ti bashkangjiten Shqipris, edhe keshtu marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë u tensionuan së tepërmi.

Në kushtet e reja tek forcat e armatosura të Jugosllavisë u bënë shumë ndryshime, të cilat flisnin për një strategji të re mbrojtje, apo sulmi nëse do të ishte e mundur… …

Jugosllavia në mesin e viteve të Luftës së Ftohtë nga jashtë dhe të një “lufte të nxehtë” nga brenda, mbante të dislokuar një numër të konsiderueshëm trupash në terren.

Shteti me 6 republika, jo vetëm ishte blinduar me armatime dhe teknikë të modeleve ruse, por në fillimin e viteve ‘80 ajo u kishte bërë një sërë kërkesash aleatëve të Lindjes, por edhe Perëndimit. Madje, vetë Shteteve të Bashkuara, për freskim të armatimit dhe modernizim të tij.

Raporti sekret

Pas demonstrimit dypalësh të forcës, përqendrim trupash të armatës Jugosllave në kufi me Shqipërinë dhe stërvitje të mëdha nga ana e ushtrisë shqiptare, vinte dhe analiza, nëse do të kishte një konflikt të mundshëm mes dy shteteve, si dhe cilat do të ishin forcat që do të përballeshin në konfliktin e mundshëm.

Në këtë kuadër, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj, kishte vënë në dijeni komandantin e Përgjithshëm të Forcave të armatosura, Enver Hoxhën mbi gjithçka që zbulimi shqiptar kishte arkivuar rreth përbërjes së ushtrisë jugosllave.

Riorganizimi

Në dokument thuhet se qeveria dhe udhëheqja e lartë ushtarake jugosllave vazhdon t’i kushtojë kujdes të veçantë fuqizimit, modernizimit dhe intensifikimit të përgatitjeve luftarake të forcave të armatosura. Për këtë dëshmojnë disa fakte, të cilat vijojnë si më poshtë:

“Në vitet 1970-1976 u krye riorganizimi i forcave tokësore me pikësynim rritjen e manovrueshmërisë, të fuqisë së zjarrit, përmirësimin e strukturës organizative dhe të dislokimit të njësive e reparteve për të mbuluar më mirë drejtimet operativo-strategjike të territorit jugosllav. Si rezultat i këtyre masave u suprimuan 50 për qind e divizioneve të këmbësorisë (nga 26 zbritën në 13), 100 për qind e divizioneve tankiste (3 divizione) dhe mbi bazën e tyre u krijuan 30 brigada (16 këmbësorie, 10 tankiste dhe 4 të mekanizuara)”.

Gadishmëria

Enver Hoxha ne takim me Sigurimin e Shtetit

Ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë sollën ndryshime të tjera në ushtrinë jugosllave. Kështu, u krijuan me shpejtësi 3 njësi të reja, të cilat u dërguan në Kosovë (Divizioni 54-të në Prishtinë, Brigada 549-të në Prizren dhe një brigadë në Pejë).

Kjo masë u pasua me ridislokimin nga Serbia e Maqedonia për në Kosovë edhe të dy brigadave tankiste, një brigadë e mekanizuar, një regjiment parashutist dhe një regjiment artilerie (Brigada e 243 e Tankeve dhe Brigada 592 e Mekanizuar u vendos në Ferizaj; Brigada e 211 e Tankeve në Podujevë, ndërsa regjimenti parashutist dhe ai i artilerisë në rajonin e Prishtinës). Si përfundim sasia e trupave në Kosovë u rrit 3 herë, ndërsa ajo e tank- eve 5 herë.

Ndërkohë, Divizioni 1 42-të i Këmbësorisë në Kumanovë dhe Brigada e 15-të e Këmbësorisë në Prishtinë u mekanizuan (u pajisën me transportues të blinduar), ndërsa efektivi rekrut për vitin 1981 u rrit edhe në 11.000 vetë, në krahasim me një vit më parë.

Organizimi

Zbulimi raportonte se ushtria jugosllave në vitin 1982 ishte e organizuar në 6 armata, 2 korpuse, 12 divizione këmbësorie (1 divizion i mekanizuar), 24 brigada këmbësorie (prej tyre 4 të mekanizuara, 1 parashutiste dhe 1 e këmbësorisë detare)

dhe 10 brigada tankesh, me një efektiv të përgjithshëm prej 264.000 trupash, 2100 tanke, 7346 gryka zjarri artilerie e mortajash, 383 avionë luftarakë (përfshi 46 aeroplanë transporti) dhe 125 anije luftarake.

Dislokimi i forcave sipas republikave, i shprehur në efektivë dhe tanke ishte përkatësisht si më poshtë: në Serbi (përfshi Kosovën) 45.3 dhe 48 për qind; në Kroaci 13.3 dhe 16 për qind; në Bosnjë Hercegovinë 9.7 dhe 6.6 për qind; në Maqedoni 14.5 dhe 13.5 për qind; në Slloveni 12 dhe 12 për qind dhe në Mal të Zi 5.2 dhe 3.9 për qind.

Theksojmë se 65 për qind e kuadrit të përgjithshëm ushtarak është me kombësi serbe. Në forcat ushtarake detare, pavarësisht se pjesa kryesore e saj dislokohet në territorin e Kroacisë, 75 për qind e kuadrit është me kombësi serbe dhe malazeze.

Përhapja e forcave

Përhapja e forcave jugosllave përgjatë kufijve me shtetet kufitare, deri në thellësinë 150 km, paraqitet si më poshtë: -me shqipërinë dislokohen 14 njësi: 1 divizion këmbësorie, 10 brigada këmbësorie, 2 brigada tankesh dhe 1 regjiment parashutist, (duke llogaritur të gjitha forcat në Kosovë të inkuadruara në Korpusin e 52-të) së 23.3% e forcave dhe 21.7% e tankeve të ushtrisë.

Efektivi dhe sasia e tankeve është marrë sipas organikës së plotë të njësive. -me bullgarinë dislokohen 8 njësi (4 divizione këmbësorie, 3 brigada këmbësorie, 1 brigadë tankesh) ose 22% e forcave dhe 18.4 për qind e tankeve. -me hungarinë dislokohen 5 njësi (2 divizione këmbësorie, 1brigadë këmbësorie, 2 brigada tankesh) ose 11.5 për qind e forcave dhe 14.6 për qind e tankeve; -me rumaninë dislokohen 4 njësi

(2 divizione këmbësorie, 2 brigada tankesh) ose 9.9 për qind e forcave dhe 13.3% e tankeve; -me italinë dislokohen 4 njësi (1 divizion këmbësorie, 2 brigada këmbësorie, 1 brigadë tankesh) ose 8.4% e forcave dhe 9.3 për qind e tankeve; -me austrinë dislokohen 2 njësi (2 brigada këmbësorie) ose 3.6% e forcave dhe 2.7 për qind e tankeve, me greqinë dislokohen 2 njësi (1 divizion këmbësorie, 1 brigadë tankesh) ose 4.9% e forcave dhe 6.6 për qind e tankeve -në thellësi të territorit mbi 150 km dislokohen 8 njësi (1 divizion këmbësorie, 5 brigada këmbësorie, 1 brigadë parashutiste, 1 brigadë tankesh) ose 14.4% e forcave dhe 13.4% e tankeve.

Konkluzioni i Shtabit të Përgjithshëm

Duke deklaruar se, “problemet i kemi në ndjekje” në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj informon Komandantin e Përgjithshëm: 1-Në krahasim me drejtimet e shteteve të tjera forcat dhe mjetet kryesore të ushtrisë (25.3% e efektivit dhe 21.7% e tankeve) dislokohen përgjatë kufijve me Shqipërinë.

Kjo tregon edhe një herë për qëllimet e njohura armiqësore të Jugosllavisë ndaj vendit tonë. Vetëm me këto forca (14 njësi) Jugosllavia nuk është në gjendje të ndërmarrë një agresion në stil të gjerë kundër vendit tonë.

Megjithatë, nuk duhet përjashtuar ndërmarrja e ndonjë sulmi të kufizua me karakter lokal. 2-Duke gjykuar nga dislokimi dhe përbërja e forcave të armatosura, nga gjendja e armatimit e teknikës luftarake, si dhe nga përbërja e kuadrit ushtarak, pavarësisht nga zhvillimi koniuktural i situatës së brendshme, klani serb mbizotëron në ushtrinë jugosllave dhe komploti ruso-serbomadh është i pranishëm.

3-Në rast situate të favorshme koniukturale, sidomos në kuadrin e komplotit të fshehtë ruso-serbomadh, Jugosllavia mund të ndërmarrë edhe një agresion kundër vendit tonë me forcat e gatshme të dislokuara në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi (92.556 trupa dhe 758 tanke ose 38.2% e forcave tokësore dhe 32.5 % e tankeve).

Por me këto forca, pa i përforcuar me njësi të tjera, Jugosllavia nuk do të jetë në gjendje të ndërmarrë një agresion në shkallë të gjerë kundër vendit tonë.

Porosia e Komandantit

Në një shpresë “tepër sekret” të datës 19 qershor të vitit 1982 ministri i Mbrojtjes së kohës, Kadri Hazbiu informohet nga Haxhi Kroi, mbi të gjitha pikat e diskutueshme, që Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Enver Hoxha kishte vënë mbi materialin e titulluar: “Informacion mbi forcat e armatosura jugosllave”.

Në hyrje të vetë materialit thuhet: “Shoku Kadri, sikundër biseduam në telefon po ju dërgoj fotokopjen e informacionit Nr.148 datë 14.06.1982 mbi forcat e armatosura jugosllave, ku shoku Enver ka bërë nënvizime dhe në shënimin e mëposhtëm ju bën këto porosi: “Shoku Kadri.

Reflektoni nënvijëzimet që kam bërë dhe karshi masave të tyre kundër vendit tonë, mendoni thellësisht përgatitjen tonë për t’iu kundërvënë me sukses çdo tentative të tyre. Po të dalë nevoja se duhen marrë masa plotësuese, ejani të bisedojmë””

Furnizimi me armatim

Në drejtimin e modernizimit të ushtrisë vëmendjen kryesore Ushtria Jugosllave e kishte përqendruar në fuqizimin e mbrojtjes kundërajrore, kundërtanke dhe kundërdesante. Për këtë qëllim jugosllavët i ishin drejtuar sovjetikëve nga të cilët kishin mundur të siguronin me leverdi 40 raketa tokësore “Frog-7” (me larghedhje 60 km),

disa bateri të raketave kundërajrore SAM-3, SAM-6, SAM-7 dhe SAM-9, si dhe raketa të drejtuara kundërtanke “SHAPER” dhe “SAGGER”. Raporti “Tepër sekret” thotë se, jugosllavët po bënin përpjekje për të siguruar edhe avionë “Mig-23”.

Por, deri në çastet kur hartohej ky raport, sovjetikët kishin hezituar t’ua jepnin armatimin e kërkuar. Për furnizimin me armatim dhe teknikë të ushtrisë, Jugosllavia i ishte drejtuar edhe vendeve perëndimore, të cilat gjithashtu ishin treguar të rezervuar.

“Kështu p.sh. janë bërë përpjekje për të blerë nga SHBA sistemet e raketave kundërtanke “TOW”, si dhe 18 avionë gjuajtës “P- 5i”‘, për të cilët amerikanët nuk kanë pranuar”, shkruhet në raportin “tepër sekret: për Enver Hoxhën.

Dominimi i teknikës ruse

Jugosllavët i kishin dhënë një rëndësi prodhimit të armatimit dhe teknikës kryesore në vend. Kështu industria ushtarake jugosllave prodhoi në vend helikopterë luftarakë tip “Gazela” (me licencë angleze) të pajisur me 4 raketa të drejtuara kundërtanke; transportues të blinduar të destinuar për luftë kundër desantit ajror, në kupolën e të cilit kishte të montuar 3 gryka zjarri të topit kundërajror 30 mm, top obuzin 152 mm etj.

Duke analizuar gjendjen e armatimit dhe të teknikës luftarake nga materiali “tepër sekret” rezulton se ato të prodhimit sovjetik dominonin në ushtrinë jugosllave.

Kështu rreth 50% e avionëve, 75% e tankeve, 100% e raketave tokësore, kundërajrore dhe kundërtanke dhe 35% e artilerisë tokësore janë të prodhimit sovjetik, ndërsa armatimi amerikan zë rreth 10% të avionëve, 25% të tankeve dhe rreth 20% të artilerisë tokësore.