Nivelizimi i çmimit të barnave mirëpritet nga qytetarët dhe farmacistët

29.05.2019 20:48:13

Pas 6 muajsh do të hyj në fuqi vendimi për nivelizimin e çmimit të barërave në vendin tonë. Ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë është  mirëpritur të gjithë.

Ministria e Shëndetësisë ka marr vendim që të nivelizohet çmimi i barërave në vend. Këtë vendim e kanë mirëpritur farmacistët e Kosovës, të cilët edhe më parë ishin deklaruar pro këtij udhëzimi.

Nënkryetari i Komisionit për Barnatoret Komunitare në Odën e Farmacistëve të Kosovës (OFK), Visar Ademi thotë se me këtë udhëzim është përcaktuar edhe roli i farmacistit.

“Me këtë vendim do të ketë një ngritje profesionale në kuadër të barnatoreve. Nga tani e tutje nuk do të kemi konkurrencë tregtare por konkurrencë profesionale”, deklaron për RTV Dukagjinin Ademi.

Ndërsa, Kryetari i Komisionit për Barnatore Komunitare në OFK, Shkumbin Jusufi thotë se përpos qytetarëve me këtë udhëzim do të përfitoj edhe shteti.

“Ky rregullim i çmimeve bënë nivelizimin e çmimeve të barnatoreve në raport me vendet e rajonit. Për aq kohë sa do të jenë çmimet e përafërta me rajonin ose të njëjta, do të bie ndjeshëm kontrabanda”, tha  Jusufi.

Por, qytetarët akoma nuk po mund të besojnë që një gjë e tillë do të realizohet.

“Kjo është e mirëseardhur. I falenderojmë të gjithë ata që kanë ndihmuar për këtë vendim”, shprehet qytetari Idriz Mavriqi.

“A mundet me ndodhë kjo?! Nëse ndodh do të jetë shumë mirë. Unë s’po besoj se ndodh”, shprehet qytetari tjetër Ekrem Marevci.

“Shpresojmë se do të bëhet, por mendoj se kurrë nuk do të ndodh kjo”, shprehet me habi qytetari tjetër Ahmet Krasniqi.

Këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili, Albatrit Matoshi thotë se implementimi i Udhëzimit Administrativ pritet të fillojë pas 6 muajsh.

“Është një afat prej gjashtë muajsh, ku do të merren të gjitha hapat çoftë nga Ministria e Shëndetësisë për politikat që duhet të adaptohen me Udhëzimin e ri administrativ apo barnatoret që të kenë nevojë të përgatiten”, tha Matoshi.

Inspektoriati Shëndetësor, gjatë kësaj kohe do të parasheh edhe masat ndëshkuese për të gjithë ata që nuk do ta zbatojnë Udhëzimin Administrativë, të cilat pritet të jena mjaft të rrepta.