Eurot në ‘Toyota’, Xhafaj, Bashës: Po shkel në dërrasë të kalbur!

28.06.2018 17:24:37

Makinat “Toyota Yaris” që transportonin 3.4 milionë euro dhe çështja e negociatave të anëtarësimit, ishin në fokusin e debatit mes mazhorancës dhe opozitës në seancën e sotme parlamentare.

Teksa debati pati për protagonist kryeministrin Rama, kreun e Grupit të PS, Taulant Balla, ministrin e Jashtëm Bushati dhe liderin e opozitës Lulzim Basha, një fjalë të ashpër në drejtim të opozitës ka mbajtur edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa.

Deri dje i vendosur me shpatulla pas muri nga opozita me një lum akuzash për mbrojtjen nga ligji të vëllait trafikant droge, Xhafa sot sfidoi hapur kreun e PD, duke i kërkuar që “të urdhërojë në mejdan”.

Dhe kur përmendi shprehjen e burrave të vjetër, Xhafa e pati fjalën për konfrontim të fakteve, për të provuar nëse Basha apo ai e kanë drejtuar më mirë institucionin e ministrisë së Brendshme.

“Është fare e lehtë të mbyllësh hesapet politike me Lulëzimin dhe politikën që ai është duke përfaqësuar. Ka qenë ministër i Brendshëm një herë e një kohë dhe nëse do të krahasohet për punë dhe rezultate të urdhërojë të hapur e ka mejdanin. Të dëshmojë çfarë ka pune ka bërë dhe çfarë gjurme ka lënë si ministër i Brendshëm. Ka ardhur dita që pesha e fjalës e secilitdo politikani të matet me përgjegjësinë publike që ai merr pasi e pohon një gjë të tillë”, tha Xhafa, kur kreu i opozitës ishte larguar nga salla.

Ministri u ndal padyshim tek çështja e 3.4 milionë eurove të gjetura në 2 automjete “Toyota”. Për Bashën, duke iu referuar deklaratës nga selia blu për njoftimin nga një shërbim inteligjent partner, Xhafa tha se duhet të tregojë kujdes.

“Ndaj Lulzim bëj kujdes kur aludon shërbime inteligjente partnere për informacione të dhëna gjoja prej tyre në trillet e sajuara prej teje ose përndryshe gjej guximin të thuash emër e mbiemër. Ose të thuash emrin konkret të axhencisë. Bëj kujdes se jo vetëm bëhesh qesharak midis tyre por dhe nuk dihet se në çfarë dërrase tjetër të kalbur je duke shkelur”, tha Xhafaj nga foltorja e parlamentit.

Ai gjithashtu deklaroi se skena e opozitës për të denigruar figurën e tij duke publikuar audiopërgjimin me Babalen dhe vëllanë Agronin, ka dështuar.

“E gjithë skena e dështuar që u  ngrit për të denigruar ministrin e brendshëm nuk funksionoi. E gjithë historitë e montuara apo tinëzisht të shfrytëzuara nuk ka për qëllim as vërtetësinë dhe aq më pak drejtësinë. Se qëllimi juaj si autor dhe bashkëpunëtor në maskaradat e servirura publikut ishte diku tjetër nuk do  aq mend për ta kuptuar. Është po aq e qartë se sa thatë e bëtë kundër meje kishte qëllim propagandistik tek qytetarët, që ministri  i Brendshëm të merrte lincimin publik dhe pak rëndësi ka si do të ishte e vërteta”, deklaroi Xhafaj.

Ministri i Brendshëm madje paralajmëroi ata që sipas tij duan të shantazhojnë institucionet e shtetit me shprehjen: “Kush tenton t’i bëjë gropën tjetrit, të presë se shpejt mund të bjerë brenda!”.