F J A L I MI I PËRFAQËSUESIT TË BRIGADËS – Hisen Berisha

19.04.2018 20:21:06

F J A L I MI I PËRFAQËSUESIT TË BRIGADËS – Hisen Berisha, me rastin e 19 Prillit, përvjetorit i rënies së Dëshmorit Sali Ceku dhe dita e Veteranëve të luftës së Koshares.

Z. President i Republikës se Kosovës!
Z. President Fatmir Sejdiu!
Z. Kryetare i parlamentit!
Z. Kryeministër!
I nderuar Z. Gjeneral Zenel Kuçana, Prefekt i qarkut të Kukësit!
Ministra, Deputet të Parlamentit të Kosovës,
Përfaqësues diplomatik!
Z Komandant i FSK Gjeneral Rrahman Rama
Oficer të policisë dhe Forcës!
Z. Komandant i Brigadës se lavdishme 138 Agim Ramadani
Në veçanti ju të dashur familjarë të dëshmoreve, bashkëluftëtarë dhe veteran të luftës
Edashur familje Ceku!

Zonja dhe zotërinj!

NE QË ME NDERSHMËRI BËMË LUFTËN DO DIMË TË MBROJMË EDHE VLERAT E SAKRIFICËS SONË.

Më ndjeni se do e filloj fjalën time me tre rrëfime, nga tre etapa historike të përballjes sonë si komb, me tentativat e armiqve tanë tradicional, të lirisë dhe identitetit tonë kombëtarë e shtetërorë.
Me 28 tetor 1912, e shtëna nga topi i Princit Mirko i cili drejtonte ushtrinë e Mbretit të Malit të zi Knjazit Nikollë, e nisi luftën për okupimin e tokave shqiptare me synim Shkodrën, për ta shpallë kryeqendër të Mbretërisë malazeze;
Gjashtë muaj në vijim, kronistët e kohës shkruan për heroizmin e ushtrisë shqiptare, mbështetur mbi taktikat moderne të një lufte në rrethim.
Dy divizione të ushtrisë serbe ”Shumadija” dhe “Drina 2” u shkuan në ndihmë trupave të princit Mirko! Por të gjitha së bashku u kthyen të mbuluara me turp në dështimin e tyre ushtarak. Por jo edhe diplomatik e politik?

Në Dhjetor ‘44, Janar e deri me 21 Shkurt të vitit 1945, Shaban Mustafë Kastrati dhe Mehmet Gradica, organizuan dhe komanduan në Drenicë, kundërpërgjigjen e dytë të ushtrisë shqiptare, kundër forcave ushtarake serbo-malazeze të cilat kishin rifilluar tentimin ushtarak drejtë tokave tona.

Kurse, me datën: 9 Prill,1999, trashëgimtari i armës, trimërisë dhe heroizmit shqiptarë, komandanti vizionar Sali Çeku, nisi nga Kosharja “tmerrin” për ushtritë serbo-malazeze të cilat tokën e Kosovës e kishin mbuluar me gjenocid e krime e monstruoze.
Përpjekjet e Sali Çekut për Republikën e Kosovës shtet i pavarur e Sovran kishin filluar vite më parë.
Deçanit ia kishte dhuruar Statutin e Komunës nacionale moderne, mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut.
Po me të njëjtin intensitet po punonte dhe po vepronte në krijimin e kapaciteteve të armatosura për një Luftë çlirimtare të cilën Sali Ceku e kishte si opsion jashtë kancelarik, bazuar po në Kushtetutën e Kaçanikut.

Në marsin e vitit 1998 pushka e Adem Jasharit kishte dhënë kushtrimin për popullin shqiptarë.
Sali Çeku, e la komoditetin e koordinatorit në Shqipëri e diaspore, veshi trimërinë, trashëgimi atnore dhe u vunë nën armë për tu vënë në mbrojtjen e çlirim të vendit.

I njohur si natyrë që reflektonte vendosmëri, fjalëprerë dhe konsistent, i dashur dhe tejet i përkushtuar për bashkatdhetarët e vërtetë e të devotshëm, në anën tjetër të karakterit të tij ishte kundërshtarë i pa kompromis kundër kolaboracionistëve dhe politikajve që bënin kompromise të dhimbshme , për të mbet të turpëruar para historisë. Në luftë për të realizuar aspiratat kombëtare ishte i vetëdijshëm se duheshin bërë sakrifica.

U lindë e u rritë në Dukagjin, u shkollua në Universitetin e Prishtinës dhe ra heroikisht në Koshare, për t’u shndërruar në simbolin e rezistencës së armatosur shqiptare kundër ushtrisë okupatore serbo-malazeze.
Toka Dardanisë sot, është e çliruar e lirë, e Sali Çeku është Hero i Republikës së Kosovës, këtij shteti të ri e modern shqiptarë në Ballkanin që ende skajet e politikës i bien erë gjaku.

Të dashur bashkëluftëtarët e mi veteran të luftës së Koshares!
Kur i përkujtojmë personalitetet historike si Sali Ceku dhe analizojmë ngjarje nëpër të cilat kaluam si popull, marrim nga lavdia e tyre, si edhe përgjegjësi për atë që ishim.
Ne e fituam të kaluarën tonë! Sot, me ndershmëri duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë, për të bërë gjëra me vlerë për vendin dhe popullin tonë.

Për një kohë të gjatë nën robëri, Ne shqiptarët e Kosovës patëm mbijetesë pa dinjitet. Prandaj, liria jonë si kategori universale ka përgjegjësi. Lëndimi i të vërtetës, tej zgjatë heqjen e mjegullnajës që po na pengon të bëjmë hapa para në rrugëtimin tonë drejt asaj për të cilën sakrifikuam dhe punuam gjatë.
Në liri nuk guxojmë të ndahemi e ndër vlerësohemi sipas doktrinave të forcave të dekadencës dhe errësirës që nuk e durojnë dijen, si kategori për të vendosur drejtësi, kusht kjo për ndërtimin e paqes.
“Secili njeri ka një dëshmi” edhe për luftën e fundit të Kosovës, por Ne do jemi vetë avokat të vërtetës historike.
Të dashur vëllezër të armës!
Ne që me ndershmëri bëmë luftën do dimë të mbrojmë edhe vlerat e sakrificës sonë.
Gëzuar ditën tonë!
Lavdi emrit dhe veprës së Sali Çekut dhe të gjithë dëshmoreve të lirisë që u flijuan në këtë ditë 19 Prill 1999!
1. Sali Çeku
2. Shefqet Mustafa
3. Leonard Paluca
4. Fisnik Ibrahimi
5. Fatos Limani
6. Ilir Hoxha
7. Bejtë Kajdomçaj
8. Afrim Stajku
9. Aziz Gashi
10. Hysni Tema
11. Izet Morina
12. Luan Gashi
13. Mejdi Korani ,
Këtij karvani të lapidarëve që sot janë gardian të lirisë sonë, në ditët dhe luftimet në vijim deri në liri, ju bashkuan edhe 71 dëshmorë të lirisë, që me gjakun e tyre shkruan emrat në faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.
Nderim dhe lavdi përherë!
Zoti e bekoftë popullin dhe vendin tonë!