Familja Dehari kërkon që autopsia e djalit të tyre të mos bëhet pa prezencën e mjekëve të caktuar nga familja

05.11.2016 22:08:05

Për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, familja Dehari kërkon nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore që autopsia e trupit të djalit të  tyre Astrit Dehari të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga familja.

“Deklarimet institucionale që e cilësojnë si të dyshimtë vdekjen e djalit tonë, si dhe kontradiktat në deklaratat e institucioneve të ndryshme, janë tejet shqetësuese për ne dhe insistojmë që në asnjë mënyrë të mos bëhet autopsia pa prezencën e mjekëve që do të caktohen nga familja”, thuhet në deklaratën e familjes Dehari.

Astrit Dehari vdiq sot në rrethana të dyshimta në burgun e Prizrenit, ku po vuante masën e paraburgimit.