Familja dyshon se nuk vdiq nga coronavirusi, zhvarroset trupi i 39-vjeçares nga...

Familja dyshon se nuk vdiq nga coronavirusi, zhvarroset trupi i 39-vjeçares nga Istogu dhe dërgohet për obduksion

18.04.2020 19:57:54

Në prezencë të familjarëve, para pak orëve është zhvarrosur trupi i Sevdije Kuklecit nga Istogu, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë.

39 vjeçarja ishte testuar për coronavirus dhe sipas IKSHPK-së kishte rezultuar pozitiv.

Por familjarët e saj dyshojnë se ajo nuk ishte e prekur nga virusi, për këtë arsye kanë kërkuar që trupi i saj të dërgohet për obduksion.

Lidhur me këtë ka folur drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj.

“Me datën 09.04 e ndjera është lajmëruar në QKMF në Istog pasi kishte dhimbje lukthi. Ajo është trajtuar dhe transportuar për në emergjencë të spitalit të Pejës. Aty e kanë trajtuar dhe lëshuar për në shtëpi. Pas disa orësh është kthtyer prapë në QKMF në Istog. Mjeku i njëjtë i cili e kishte trajtuar herën e parë i ka dhënë injeksion dhe i ka pushu dhimbja. Ajo ka kërkuar të  shkojë prap në Pejë. Atje ka qëndru deri natën mes 11 e 12 të prillit”, ka thënë ai për Sinjalin.

Tutje, Osmanaj ka treguar se e ndjera me datë 12 prill është dërgu në QKUK.

“Me datë 12.04 pas mesnate është dërgu në QKUK ku është operuar per shkak të gjendjes rreziku per jetë si abdomen akut, por nuk ka arritur të mbijetojë. Para operimit sipas kirurgut janë marrë mostrat e analizave të cilat në mbrëmje kanë rezultuar pozitiv me Covid-19”, ka shtuar ai.

Sipas Osmanajt,  familja nuk po pajtohet se e ndjera ishte e infektuar me coronavirus dhe ka këmbëngulur në ekshumim të kufomës.

Rezultatet pritet të dalin brenda dy ditëve.

Osmanaj dha lajmin e mirë që mostrat e para të kontakteve të afërta me të ndjerën kanë dalë të gjitha negativ.

“Mostrat e para të kontakteve të afërta kanë dalë negativ: familja e saj, prindërit, fqinjët, ekipi QKMF-së në Istog dhe ekipi i spitalit të Pejës”, ka përfunduar ai.

Në videon më poshtë, e siguruar nga Rtv Fontana, mund të shihni disa momente nga zhvarrimi i së ndjerës.