Gjini: Poshtëruese për 30 mijë euro me pranu donacion nga Serbia – pse kërkuat ndihmën nga diaspora

18.04.2020 20:12:26

Pas pranimit të njëmijë testeve për coronavirus nga Serbia, ka reaguar edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Gjini konsideron se me gjestin e Qeverisë Kurti në detyrë vendi është poshtëruar shumë me pranimin e ndihmës nga fqinji verior.

“Seriozisht është turpëruese deri në pezm me i pa njerëzit duke e arsyetuar marrjen e një donacioni prej 30.000 euro nga Serbia!. Për çka dreqin e kërkuat ndihmën nga diaspora? Qysh bre për kaq pak pare me u poshtnu kaq shumë?. Ngani tash tifozeri! Marre bre!”, ka shkruar Gjini.

Ndërkaq, më herët pati reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nuk do ta pranonte ndihmën e Serbisë edhe sikur t’ia kishte ngjallur dy vëllezërit e vrarë në luftë, Luanin e Shkëlzenin.