Familja e kolonel Ahmet Krasniqit nuk ka kërkuar as hetim ndërkombëtar, as koka njerëzish, as përmbysje të shtetit, por ka kërkuar edhe pak kohë që të përmirësohet ky dokumantar

26.11.2016 21:22:32

Nga Rexhep Kastrati

Dokumentari për kolonel Ahmet Krasniqin i punuar nga Fatos Lokaj në bazë të skenarit të Skënder Zogajt, është emetuar pa vullnetin e familjes. Aziz Krasniqi dhe vëllai i kolonel Ahmet Krasniqit – Behxheti kanë kërkuar që të punohet ende në këtë dokumentar, duke mos dhënë miratimin për emetimin e tij. Familja e kolonel Ahmet Krasniqit nuk kanë kërkuar as hetim ndërkombëtar, as koka njerëzish, as përmbysje të shtetit, por ka kërkuar edhe pak kohë që të përmirësohet dhe plotësohet ky dokumantar. Dhe kaq pak mund të bëhej për këtë familje. Ka 18 vjet që po pret të zbardhet e vërteta për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, ka merituar që të ketë edhe mirëkuptimin që të tjerët të presin edhe disa ditë apo disa javë. Prandaj, pa marrë parasysh se kujt i është ngutur dhe pse i është ngutur, unë e quaj të turpshme mospërfilljen e kërkesës së familjes së kolonel Ahmet Krasniqit. Natyrisht, unë nuk di arsyet pse familja e kolonel Ahmet Krasniqit ka kërkuar kohë që të punohet edhe më shumë në atë dokumentar, as nuk dua të paragjykoj as shoqatën “Salih Çekaj”, as regjisorin Fatos Lokaj, as skenaristin Skënder Zogaj, as faktin se është zgjedhur TV Dukagjini për t’u emetuar ky dokumentar, por, po ashtu, nuk mund të mirëkuptoj mospërfilljen e kërkesës së familjes së kolonel Ahmet Krasniqit që të punohet edhe më shumë për këtë dokumentar.