Familjarët e të arrestuarve “rrethojnë” Komisariatin e Kukësit

01.04.2018 13:09:09
Familjarët e protestuesve të arrestuar gjatë natës në Kukës kanë “rrethuar” paraditen e së dielës Komisariatin e Kukësit.

Sipas tyre, policia ka ardhur në shtëpitë e tyre natën për të arrestuar pjesëmarrësit në këtë protestë dhe thonë se efektivët e policisë kanë ushtruar dhunë nëpër banesa.

“Kanë ardhur me maska e na kanë trajtuar si kriminelë”, shprehen ata.
Në Kukës kanë shkuar edhe deputetë të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët kanë takuar drejtorin e Policisë Kukës.

Të shtunën, protestuesit dogjën dhe shkatërruan sportelet e vjeljes së tarifës së rrugës, të vendosura nga koncesionari, ndërsa paralajmëruan se do të rikthehen të bëjnë të njëjtën gjë nëse ato do të rivendosen sërish në funksion.