Familjarët e të pagjeturëve protestojnë, kuvendi mban një minutë heshtje

30.12.2016 12:55:08

Përderisa në Kuvendin e Kosovës po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit ekzistues për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në hollin e Kuvendit janë parë familjarë të të pagjeturve.

Ata janë mbledhur përballë policisë kështu duke kundërshtuar propozimet që po bëhen në Kuvendin e Kosovës.

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, ka thënë se askush nuk doli për t’i pritur te Kuvendi, aty ku familjarët kanë bërë homazhe para pllakës përkujtimore, siç bëjnë çdo herë në ditën e fundit të vitit.

Ajo ka thënë se familjarët po ndihen të anashkaluar nga institucionet, por pritet që kryetari Kadri Veseli të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e familjeve.

Ndërkohë pasi që Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është njoftuar për këtë protestë ai ka kërkuar nga deputetët të mbajnë një minutë heshtje në shenjë nderimi për të zhdukurit.