Fantazma e krimit, pabesia dhe njollat e lirisë

31.03.2018 13:50:01

Nga Ndue Ukaj

Nëse presim që dikush do t’ i pastrojë njollat e lirisë në vendin tonë, ato që i kemi bërë vetë, atëherë skena të ngjashme, sikur ajo e kidnapimit dhe deportimit të qytetarëve turq, pa respektuar kushtetutë, ligje e konventa, do t’na përsëriten shumë shpesh.
Skenat mund të ndërrojnë trajtë, por në thelb do të jenë të njëjta.
Po ashtu, reagimet tona do të jenë të njëjta: të forta dhe të shumta, por pa efekte esenciale politik.
Sepse, këta që i kemi në krye të institucioneve, nuk i brenë ndërgjegjja për asgjë.
Ju kujtohet si donin ta ndërronin historinë, me lojëra tinëzare.
Ju kujtohet si shpallën vëllazërinë me turqit, duke përbuzë histori e kulturë.
Ju kujtohen deklaratat përbuzëse të politikanëve turq, duke na trajtuar mbetje osmane, dhe asnjë reagim i tyre.
Ju kujtohen si u shiten, thanë më mirë u falen, asetet tona ekonomike.
Pra, nëse i lëmë në pushtet këta harbutë, dhe, nëse Erdogani nesër do t’ iu kërkojë që, Skënderbeun ta zhbëjnë, ata do ta pranojnë një gjë të tillë me shumë lehtësi.
Vetëm që kungulli i tyre të ecë mbi ujë.
Ata që e kanë lexuar Hamletin e Shekspirit, e dinë çfarë ndodh në një vend kur ka krim shtetëror. Kur shteti udhëhiqet nga pabesia.
Hamleti, është një tragjedi e këshillueshme për çdo kohë dhe për çdo shoqëri.
Sidomos për shoqëri ta katandisura në krim dhe pabesi.
Tragjedia thotë se, atëbotë, në Danimarkë ishte kalbë diçka. Pikërisht për këtë arsye, në skenën “teatrore” të këtij vendi, shfaqet princi Hamlet, Ati i të cilit ishte vrarë pabesisht nga i ungji, në bashkëpunim me të ëmën, dhe me qëllim të qartë: për t’ia rrëmbyer mbretërinë.
Ai s’kishte sesi të heshte përball krimit makabër, të cilin ia tregonte fantazma e të atit. Po, fantazma e të Atit.
Mu për këtë, ai e dinte se: “Në tërë Danimarkën s’ ka përveç/ Zuzarë e kalorës vagabondë”, dhe, këtë e shqiptoi me zë të lartë dhe me guxim të madh.
Ai e dinte se: “Danimarka ishte si një burg”, andaj luftoi ta çlironte vetën dhe Danimarkën e tij nga ky makth.
Sajoi marrëzinë e tij, vetëm e vetëm për ta çuar përpara kauzën e tij; t’i pastronte njollat e lirisë në Danimarkën e tij, që udhëhiqej nga zuzarë e kalorës vagabondë dhe nga një mbret e mbretëreshë vrasëse, që jetonin në incest.
Leximi i Hamletit, në çdo kohë është i nevojshëm. Sidomos kur ka avari politike, shpirtërore, dhe kriza të shumta morale, siç janë këto tonat, ku ka shumë “zuzarë e kalorës vagabondë”.
Kosova, thënë me gjuhë të Hamletit, qeveriset nga zuzarë e kalorës vagabondë.
Ata kanë njollosë lirinë dhe të ardhmen e vendit tonë.
Ata do të bëjnë çmos që krejt kjo të harrohet, por fantazma e krimit të këtyre ditëve, do ta ndjekë gjatë. Ashtu siç ngjet në tekstin e Shekspirit. Deri sa t’ i pastrojmë njollat e lirisë.
Pra, derisa ta arrijmë një katarzë të thellë.
Dhe kjo ndodh, kur të çlirohemi nga ky soj i drejtuesve të shtetit tonë: nga të paditurit, hipokritët dhe të pandërgjegjshmit, nga ata që të vetmen që dinë ta bëjnë mirë, janë intrigat.
Çlirimi nga soji i tyre, është detyrim kombëtar.