Fati i Qeverisë Haradinaj përballë Demarkacionit!

09.12.2017 11:44:30

Qëndrimet krejtësisht të kundërta ndërmjet partnerëve të koalicionit për Demarkacionin, kanë shtuar zërat se qeveria Haradinaj mund të rrezikohet nga kjo çështje e cila gjithashtu u përdor si arsyetim edhe për prishjen e qeverisë PDK-LDK.

Në njërën anë, Partia Demokratike e Kosovës me qëndrimin e njohur pro versionit aktual të demarkacionit, e në anën tjetër AAK-së dhe Nismës që po vazhdojnë të qëndrojnë prapa premtimeve të tyre se nuk e pranojnë këtë version të shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi.

Këto dallime u vërejtën edhe gjatë seancës së kësaj jave të Kuvendit të Kosovës, ku nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj në mënyrë indirekte kërkoi nga partnerët e koalicionit që të veprojnë ndryshe sesa kur kanë qenë në opozitë.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë  se qëndrimet e partive në koalicion janë të njohura, por që sipas tij ato deri më tani nuk kanë qenë pengesë për qeverinë.

“Qëndrimet tona janë të njohura botërisht qe shumë kohë dhe deri tash ato s’kanë qenë pengesë ndërmjet partnerëve të koalicionit”, ka thënë Krasniqi.

E partneri më i madh pas PDK-së në koalicion, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vlerëson se koalicioni deri më tani ka bashkëpunim mjaft të mirë.

Deputetja e kësaj partie, Time Kadriaj thotë se koalicioni me PDK-në është lidhur duke i ditur qëndrimet për çështjen e Demarkacionit. Por që sipas saj, secili deputetë vendos vet se si do të votojë.

“Koalicioni po funksionon me bashkëpunim të mirë. Ne kur kemi lidhur koalicion parazgjedhor i kemi pasur këto dallime sa i përket çështjes së demarkimit të kufirit dhe e kemi ditur se ata kanë qëndrim tjetër, ne mendim tjetër. Por ne po funksionojmë në rregull, kjo është çështje e deputetëve si do të vendosim. Kryeministri më në fund e procedoi këtë çështje, pasi ai paraprak e kishte lënë në fiokë këtë punë”, ka thënë Kadriaj

Sipas Kadriajt, koalicioni është bërë në bazë të programit dhe jo të qëndrimeve individuale.

“Kanë qenë qëndrimet të njohura për të dy anët, dhe ne kemi bërë koalicion në bazë të programit dhe jo në bazë të qëndrimeve individuale”, shtoi deputetja e AAK-së.

Kurse deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha gjithë situatën me Demarakacionin në Kuvend po i cilëson si “laramani qëndrimesh”.

Sipas Berishës, qëndrimet e djeshme të PDK-së e masin qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës.

“Tash kemi një laramani qëndrimesh në raport me versionin e vjetër të Demarkacionit. Ne kemi një opozitë e cila një pjesë e mbështet variantin e vjetër por në të njejtën situatë e kemi edhe në koaliconin e mazhorancës, ku e kemi një pjesë që e mbështetë variantin e vjetër. Kjo është ajo mish-mashi rreth kësaj çështje, dhe un po mendoj që ky version nuk kalon. Natyrshëm pas debatit të djeshëm në parlament, nëse zyrtarët e PDK-së kanë folur me kompetencë domethënë qëndrimet e tyre e masin qëndrueshmërinë  e koalicionit qeverisës”, deklaroi deputeti i Nismës për Kosovën.

Zafir Berisha tutje tha se PDK-së nuk i konvenon rrëzimi i kësaj qeverie, pasi do të mbetej një parti minore.

Ai e pranon se me qëndrimet e djeshme u vërtetua se ka joharmonik midis subjekteve në qeveri.

“Edhe në këtë rast nëse mendojmë politikisht dhe në mënyrë strategjike, PDK-së nuk i konvenon me rrëzu qeverinë. Mbetet partia e minorancës në jetën politike të Kosovës. Qëndrimet e djeshme në Kuvend tregojnë joharmoninë midis subjekteve që janë në qeveri”, deklaroi Berisha.

E ndryshe nga përfaqësuesit e pozitës po mendon analisti politik, Imer Mushkolaj.

Ai po thotë se Demarkacioni ka qenë pengesë qysh nga krijimi i koalicionit.

“Demarkacioni ka qenë pengesë  qysh kur është krijuar koalicioni,kur është nënshkruar marrëveshja. Dy palët e kanë ditur që nuk është e lehtë të veprohet në këtë çështje nëse nuk i ndryshojnë qëndrimet.Por, atëherë ka mbizotëruar arsyeja që me çdo kusht të vihet në pushtet, që PDK të jetë në pushtet, dhe nuk e kanë menduar që mund të vijë situata që Demarkacioni të ndikojë që koalicionit të ketë probleme”, thotë Mushkolaj.

Tutje ai vlerëson se nëse nuk ka një konsensus ndërmjet partive që janë në qeveri, atëherë shenjëzimi i kufirit me Malin e Zi edhe mund t’i sjellë probleme koalicionit.

“Tash po shihet që demarkacioni është ndër çështjet që mund ti shkaktojë probleme qeverisë, nëse prap po them vazhdojnë t’i mbajnë qëndrimet të cilat i kanë momentalisht e që po shihet se janë diametralisht të kundërta, në votimin ose jo të demarkacionit. Nëse nuk ka konsensus brenda koalicionit, besoj se kjo çështje do të shkaktoj edhe edhe probleme”, theksoi Imer Mushkolaj.

Ndryshe, në mbledhjen e qeverisë që u mbajt të hënë shefi i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj e procedoi versionin e vjetër të Demarkacionit bashkë me raportin e komisionit të Shpejtim Bulliqit.

Ky veprim u kritikua shumë nga opozita, të cilët e akuzuan Haradinajn për ndryshim qëndrimesh.

I gjithë raporti tani është në Parlament, e se kur do të shkojë për shqyrtim te deputetët ende nuk dihet.

Një seancë plenare për javën e ardhshme vetëm është caktuar. Do të mbahet ditën e enjte, por që në rend dite nuk është çështja e Demarkacionit.