Lezhë, vritet me armë zjarri vëllai i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka

09.12.2017 12:22:53

Vritet me armë zjarri vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste në Lezhë, Arben Ndoka. Ngjarja  e rëndë mendohet se ka ndodhur në orët e vona të natës, ndërkohë që trupi i pajetë i shtetasit Aleksandër Ndoka, 48 vjeç është gjetur i qëlluar me armë zjarri brenda automjetit të tij mëngjesin e sotëm.

“Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në Lagjen “Nënë Tereza”, ku kanë konstatuar se në mjetin tip “Mitsubish”, me targa AA 382 SE,  ndodhej trupi i pajetë i shtetasit A.N.,48 vjeç, banues në lagjen “Nënë Tereza” Lezhë, i vrarë me arme zjarri nga persona akoma të paidentifikuar”, sqaron policia.

Mësohet se 48-vjeçari Ndoka ka qenë duke u kthyer në banesë në lagjen “Nënë Tereza” në orët e para të mëngjesit, rreth orës 4:25 kur 2 ose më shumë persona ende të paidentifikuar të cilët i kishin zënë pritë e kanë qëlluar me breshëri automatiku jo nga një distancë e largët. Autorët kanë pasur mundësi të largohen, duke qenë se rruga kryesore Lezhë-Tiranë është vetëm 100 metër larg nga banesa.

Aleksandër Ndoka, baba i 4 fëmijëve, dy vajza dhe dy djem ishte edhe anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Lezhës.

48-vjeçari nuk rezulton me precedentë penalë dhe sipas informacioneve paraprake nuk kishte konflikte të hapura.

Pak kohë më parë, policia arrestoi djalin e tij, Samuel Ndokën i cili u përfshi edhe në një konflikt gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.

18-vjeçari u arrestua me akuzat e plagosjes, armëmbajtjes pa leje dhe kanosjes dhe pikërisht një nga pistat që po heton policia është ajo e konflikteve të djalit të tij.

Sipas burimeve nga policia, vrasja ka ndodhur më herët se ora 4:25, kur salla operative mori njoftim dhe megjithëse u ngritën menjëherë disa pika kontrolli dhe u bë krehja e zonës, autorët arritën të largohen.