Fati i tyre në dorën e KQZ/ Dy kryebashkiakë socialistë rrezikojnë heqjen e mandatit

15.06.2020 11:44:00

Dy kryebashkiakë socialistë të Matit dhe të Librazhdit mund të rrezikojnë heqjen e mandatit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë sot kërkesat e paraqitur nga prokuroria për dy kryebashkiakët Agron Malaj të Matit dhe Kastriot Gurra të Librazhdit.

Dy shkresat e Prokurorisë së Përgjithshme për dy kryebashkiakët kanë mbërritur në KQZ dhe ky institucion pritet t’i shqyrtojë në mbledhjen e nesërme nëse janë subjekt i ligjit të Dekriminalizimit ose jo.

Më të ashpra kanë qenë akuzat e ngritura nga opozita ndaj kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj, i cili njihet edhe si gardisti i 21 janarit, ku pretendon se ka qenë i dënuar më parë me vendim gjykate dhe për këtë nuk e deklaruar me vendim Gjykate.

Partia Demokratike iu drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme për t’u njohur zyrtarisht nëse Malaj rezulton i dënuar ose jo. Prokuroria në përgjigje të PD-së, i bën të ditur se kryebashkiaku i Matit ka qenë i dënuar më parë dhe se një vendim i tillë është dhënë nga gjykata në vitin 1999,

“Prokuroria e Përgjithshme fakton se Agron Malaj është i dënuar për veprën penale të parashikuar në paragrafin e pestë në nenit 278 të Kodit Penal. Neni 2 i ligjit të dekriminalizimit përcakton se nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: a) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas nenit 278 paragrafi i pestë i Kodit Penal. Ligji i dekriminalizimit për personat që parashikohen në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 2, të këtij ligji përcakton ndalim për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandati”, do të deklaronte sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi. Më pas PD-ja do t’i kërkonte zyrtarisht KQZ-së të merrte një vendim pas fakteve të paraqitur nga Prokuroria, duke vënë në dijeni edhe SHBA dhe BE-në.

Gurra i denoncuar jo nga PD-ja, por qytetarët

Ndaj kryebashkiakut të Librazhdit, Kastriot Gurrës denoncimi nuk ka ardhur nga Partia Demokratike, por nga qytetarët. Gurra që po ushtron mandatin e dytë, iu nënshtrua hetimit nga sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme pas një kallëzimi të bërë më datë 31 Janar 2020 nga përgjegjësi i auditimit në Bashkinë e Librazhdit, Rexhep Hana.

Vetë Hana kërkonte hetimin e eprori të tij, Gurra pasi ka mashtruar me formularin e Dekriminalizimit. Sipas padisë në vitet 2007-2008, Kastriot Gurra ka falsifikuar vulën e Drejtorit të Ujësjellësit në Librazhd. Asokohe kishte nisur një proces hetimor, dhe Gurra ishte shpallur në kërkim, por nuk u arrestua asnjëherë.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Kastriot Gurra, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për tu zgjedhur në një funksion të larte publik, në kuptim të nenit 2 të ligjit nr 138/2015. Ai në vitin 2008 ka qenë në hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për procedimin penal nr 944, vepra penale “Falsifikim i vulave i stampave ose formularëve, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, neni 188 Kodi Procedurës Penale”, thuhet në padi.

Do të jetë KQZ-ja që do të vendosë për fatin e dy kryebashkiakëve socialistë, por që duket se Gurra mund të shpëtojë nga Dekriminalizimi, ndërsa ndaj Malajt fakti që është i dënuar dhe me vendim të formës së prerë nga gjykata përbën një problem.