Fatmir Gashi lë BQK-në për ambicie politike

05.01.2017 08:59:34

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fatmir Gashi, ka dhënë dorëheqje nga pozita që ka mbajtur në BQK, nga gushti i vitit 2013, pasi që nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) ai është propozuar si kandidat për kryetar të komunës së Pejës

Gashi kishte ardhur në pozitën e zëvendësguvernatorit më 1 gusht të vitit 2013, pak kohë pasi që në krye të Bankës Qendrore të Kosovës kishte ardhur Bedri Hamza, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Zyrtarë të BQK-së jozyrtarisht kanë bërë të ditur se javën që shkoi, Gashi i ka ofruar dorëheqjen guvernatorit.

“Fatmir Gashi ia ka ofruar dorëheqjen guvernatorit të BQK-së, Bedri Hamza, dhe ky i fundit ia ka pranuar atë”, kanë bërë të ditur burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda BQK-së.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Gashi ka konfirmuar se tashmë ka dhënë dorëheqje nga pozita që ai ka mbajtur nga 1 gushti i vitit 2013.

“Po unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. Për këtë është vetëm një arsye se unë jam propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si kandidat për kryetar të komunës së Pejës në zgjedhjet lokale që do të mbahen sivjet. Kështu që ligji i BQK-së nuk lejon që një zëvendësguvernator të jetë pjesë e një partie politike. Kjo ka qenë arsyeja e vetme e dorëheqjes sime nga BQK-ja” ka thënë Gashi për gazetën “Zëri’.