Imami i xhamisë së Shipolit në Mitrovicë, Fatmir Latifi ka bërë emër prej vitesh me ligjëratat e tij me tone radikale.
Imami Latifi ka përgjigje sa për Perandorinë Osmane nëse ishte pushtuese ose jo, për armiq të jashtëm e të brendshëm të Islamit e gjithçka tjetër.
Nga dhjetëra video të ligjëratave të tij në xhaminë e Shipolit, njëra prej tyre i është dedikuar shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Imami Latifi e quan Kadarenë ‘ateist’, madje tregon për një rast sesi ky i paska kërkuar Ramiz Alisë që të mos lejojë hapjen e xhamive (sic!).
“Faktet po dalin, elhamdulillahi rabbil alemin. Ky Ismail Kadareja ka shku te Ramiz Alia dhe i ka thënë ‘lejoja katolikëve dhe ortodoksëve kishat, e për myslimanë nuk ka sepse të gjithë janë ba ateista. Mos i hap xhamiat se nuk ka kush të hyjë në to. Por Allahu azauexhel këtë fjalë e paska ni dhe i ka shti në xhami njerëzit…”, thotë Latifi derisa shpërthen në ngashërim.
Askush nga xhemati i pranishëm në ligjëratë nuk dënjon të pyes imamin, por as ky nuk merr mundin të shpjegojë se cilat fakte flasin që Kadareja paska pasur bisedë me Ramiz Alinë për çështjen e hapjes së xhamive.