Fatmir Sejdiu e kujton Ibrahim Rugovën në 72 vjetorin e lindjes

02.12.2016 11:55:37

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmi Sejdiu, ia ka uruar ditëlindjen presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës, i cili sot do t’i mbushte 72 vjet.

Në një postim në Facebook, Sejdiu ka shkruar se Rugova u bë përjetësisht “Engjëll Mbrojtës i Kosovës” me punë, përkushtim dhe dashuri ndaj vendit.

Ky është postimi i plotë:

E donte lirinë, e donte Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike. Për një Kosovë të tillë punoi përjetësisht e pafundësisht.

Kujtojmë fillin e tij politik, mbi filozofinë e Durimit dhe atë Refuzimit, mbi të gjitha mbi atë Kuptimit dhe të Interpretimit më të mirë të mundshëm, të kërkesave të një populli i cili donte lirinë dhe vetëm lirinë.

Rugova në politikë erdhi nga domosdoshmëria për një prijëtar të ditur dhe të guximshëm, për një lider me vizion, i cili mbi individualen ndërton të përgjithshmen, mbi robërinë ndërton lirinë.

Nuk erdhi nga nevoja për realizim të interesave personale a grupore, por për interesin e përgjithshëm te vendit, për liri dhe pavarësi, të cilën po e gëzojmë dhe jetojmë sot.

I tillë erdhi, i tillë mbeti.

Përjetësisht, Engjëll Mbrojtës i Kosovës.