Fëmija me armë: Arrestohet i riu që dyshohet se shtiu me armë dhe shkaktoi panik në “Birra Fest”

19.08.2016 21:38:41

Më 29 korrik, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka qenë duke u mbajtur festivali “Birra Fest”. Rreth orës 23:00, në këtë lokacion ndodhi shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, pasi dyshohej se nga persona të panjohur ka pasë të shtëna me armë në mes të turmës. Me këtë rast, pjesëmarrësit e festivalit nga paniku i shkaktuar nga të shtënat kanë filluar te largohen pa kontroll në drejtime të ndryshme, duke u lënduar 42 persona.

Pas zhvillimit të hetimeve intensive nga Policia e Kosovës, konkretisht nga Hetimet Rajonale në Prishtinë, është identifikuar i dyshuari i këtij rasti, i cili gjatë procedurave hetimore ka bashkëpunuar me Policinë.

Dyshohet se motivi i këtij rasti ka qenë një mosmarrëveshje ndërmjet disa të rinjve të moshës së mitur.

I dyshuari, i identifikuar nga Policia lidhur me incidentin në “Beer Fest” është i mituri (H.V. -15 vjeçar). Ai u arrestua sot rreth orës 17:00 dhe pas konsultimeve me prokurorin kompetent i njëjti dërgohet në mbajtje për procedurë të mëtejme ligjore. Veprimet hetimore për zbardhjen në tërësi të këtij rasti janë ende në proces nga hetuesit kompetent policor.