VV thotë se është paqësore, rikujton ftesën për AAK-në e Nismën

19.08.2016 21:42:46

Protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për ta kundërshtuar ratifikimin e demarkacionit më 1 shtator, nuk pritet të jetë e dhunshme. Kështu ka thënë për “Indeksonline”, zëdhënësi i VV-së, Frashër Krasniqi.

Sipas tij, është qeveria dhe policia ajo që ka shkaktuar dhunën në protestat e mëhershme të organizuara nga VV-ja duke i provokuar protestuesit.

“Dhuna gjithmonë është shkaktuar nga ana e qeverisë, nga ana e policisë e cila i ka provokuar në mënyrë të vazhdueshme protestuesit. Në anën tjetër, dhuna e vërtetë që është tu ndodhë në Kosovë, është dhuna strukturore e cila po përcillet përmes gjendjes së rëndë ekonomike sociale, varfërisë, shëndetësisë së dobët. Ne mendojmë se kjo është dhuna e vërtetë”, është shprehur ai.

Krasniqi ka bërë të ditur se VV u ka bërë thirrje AAK-së dhe Nismës për t`iu bashkuar protestës, duke thënë se në këtë mënyrë mund të ndalet demarkacioni.

“Ne para se ta shpallnim protestën, para se ta tregonim datën i kemi bë thirrje edhe AAK-së edhe Nismës, vazhdojmë t`ju bëjmë thirrje për me marrë pjesë në protestë, për shkak se mendojmë që vetëm në këtë mënyrë mund të ndalet demarkacioni”, ka shtuar ai për Indeksonline.

Ndryshe, Krasniqi ka thënë se të gjitha protestat e Vetëvendosjes kanë qenë paqësore, kurse është shprehur se dhunë është cenimi i sovranitetit.