Fëmijëve në Kosovë iu shkelen të drejtat

01.06.2017 15:30:00

Respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë, nga përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe institucioni i Avokatit të Popullit konsiderohen të jenë nën nivelin e dëshiruar, ndonëse, thuhet se janë shënuar përparime në disa aspekte gjatë viteve të fundit.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) thonë se janë të dhënat e fundit zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të cilat tregojnë për një gjendje jo të kënaqshme të të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Sipas këtyre të dhënave mbi 60 për qind e fëmijëve në Kosovë deri në moshën 14 vjeç kanë pësuar dhunë psikologjike dhe fizike, mbi 10 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda, derisa afër 7 për qind punojnë në kushte të rrezikshme.

Donjeta Kelmendi, udhëheqëse e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se fëmijët në Kosovë nuk gëzojnë të drejtat e tyre të cilat janë të garantuara në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.

“Numrat flasin më së miri dhe këto statistika tregojnë se nuk kemi një gjendje të mirë të respektimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Përveç dhunës fizike dhe psikologjike që përjetojnë fëmijët në Kosovë, gjendje jo e mirë paraqitet edhe në aspektin e arsimit dhe shëndetësisë”.

“Përfshirjen në arsimin parashkollorë e kemi të ulët dhe atë vetëm 3.5 për qind,derisa përfshirja në arsimin para fillorë është 80 për qind. Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë mbesi më të ulëtat në rajon, po ashtu ka pasur edhe mungesë të barnave nga lista esenciale në repartet e Pediatrisë”, thekson Kelmendi.

Kosova vazhdon të mos këtë ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Qysh nga viti 2013 institucionet e Kosovës kishin filluar të hartojnë një ligj të tillë, i cili siç thuhet vazhdon të jetë në proces.

Përveç tjerash, në Kosovë thuhet të ketë edhe pabarazi tek fëmijët.

Një hulumtim i bërë kohë më parë në Kosovë nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, thuhet se pabarazitë tek fëmijët janë shfaqur në disa dimensione, por që veçohen shëndetësia, arsimi dhe siguria.

Ndërkohë në Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë, thonë se ankesat që më së shumti i kanë pranuar lidhur me shkeljen e të drejtave të fëmijëve kanë të bëjnë me të drejtën në shëndetësi, mirëqenie sociale, kujdes prindëror, dhunë në shtëpi dhe shkollë.

Igballe Rrahmani, këshilltare ligjore në Institucionin e Avokatit të Popullit, i ka thënë Radios Evropa e lirë se shkeljet e të drejtave të fëmijëve në Kosovë janë evidente, por që viteve të fundit është shënuar progres në respektimin e tyre.

“Kur flasim për të drejtat e fëmijëve mund të themi se është bërë përparim i dukshëm gjatë këtyre viteve, mirëpo ende duhet të bëhet shumë në këtë drejtim në mënyrë që fëmijët t’i gëzojnë plotësisht të drejtat të tyre si dhe të rritet respektimi, promovimi dhe informimi i fëmijëve për të drejtat e tyre”, thekson Rrahmani.

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve ishte cilësuar si sfidë për Kosovën edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian.

Raporti pati theksuar nevojën që autoritetet e Kosovës të sigurojnë një buxhet adekuat për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve në mënyrë që të këtë zbatim efektiv pas miratimit.