Fiaskoja e vaksinimit në Europë

26.01.2021 21:36:13

BE ndodhet në drejtim të vaksinimit shumë më pas Britanisë së Madhe dhe SHBA-së. Pas problemeve organizative në fillim, tani mungojnë vaksinat. Komisioni Europian kishte porositur rreth 8 miliardë doza tek tetë prodhues. Por furnizimi vjen për momentin vetëm nga BioNTech/Pfizer dhe ky ka bërë të ditur, se prodhimi në fund të janarit reduktohet përkohësisht. AstraZeneca kërkon nga ana e saj të furnizojë vetëm 40% të sasisë së rënë dakord në tremujorin e parë. A po shërbehen shtete të tjera më mirë se BE apo BE nuk ka bërë nuk marrëveshje të mira?

Nga historia e suksesit në fiasko?

Komisioni Europian e ka paraqitur deri tani sigurimin e vaksinave si historinë më të madhe të suksesit, që u krijon në mënyrë të drejtë vendeve anëtare qasje tek vaksina. Pas njoftimeve të fundit zëdhënësi i KE, Eric Mamer u shpreh, se “ne jemi aktivë në drejtim të bashkëpunimit me sipërmarrjet mbi bazën e kontratave, që kanë nënshkruar me ne. Çështja është çfarë mund të bëjnë të gjithë aktorët që të kemi sukses.”

Të hënën një komision i BE zhvilloi bisedime me AstraZeneca për t’i kujtuar detyrimet kontraktuese. BE ka porositur 400 milionë doza të vaksinës që megjithëse të premten pritet të marrë lejen, konsiderohet si më konkurruese, më e leverdishme dhe e transportueshme. Komisionerja për Shëndetin, Stella Kyriakides u shpreh pas takimit se përgjigjet e sipërmarrjes nuk ishin të kënaqshme.

“Plani i ri nuk është i pranueshëm, (…) BE ka financuar në avancë zhvillimin dhe prodhimin e vaksinës dhe do të përfitojë nga kjo.” Kontrata duhet të respektohet plotësisht, tha Kyriakides. Pas kësaj fshihet akuza, se AstraZeneca do të vazhdojë të furnizojë Britaninë e Madhe dhe do të lerë BE duarbosh. Eksperti për shëndetësinë i Parlamentit Europian, Peter Liese dyshon në shpjegimet e koncernit. “Justifikimi i dobët, se ka probleme në zinxhirin e furnizimeve, por jo diku tjetër, nuk është i besueshëm, sepse nuk ka probleme të çosh vaksinën në Britaninë e Madhe”, tha Liese.