Fier, sekuestrohet kanabis dhe armë zjarri, dy të arrestuar

22.10.2016 10:54:33

Në dy operacione të ndryshme policia e Fierit sekuestroi brenda pak orëve kanabis, fara bimësh narkotike, armë zjarri e municione.

Sipas njoftimit nga policia bëhet e ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Povelçë” u arrestua në flagrancë 41-vjeçari Lavdimir Kapaj, banues në fshatin Povelçë, Fier, pasi në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri automatik model 56 me 2 krehëra me nga 30 fishekë dhe 23.2 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva.

Ndërkohë gjatë një kontrolli rutinë në një “BENZ”, me targë VL3848B, policia gjeti fara kanabisi dhe fishekë. Makina që drejtohej nga shtetasi A.D, u ndalua nga policia në vendin e quajtur “Kryqëzimi i rrepeve Fier”, dhe nga kontrolli i ushtruar, pasagjerit Mikel Isaj iu gjetën në çantën e tij të brezit 8 fishekë dhe 1 copë letër alumini me 50 fara bime narkotike të dyshuara Cannabis Sattiva.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se mjeti autoveturë tip “BENZ”, me targë VL 3848 B, dyshohet si automjet i vjedhur dhe i trafikuar në Shqipëri dhe për këtë arsye policia nisi procedimin penal për shoferin e makinës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për shtetasit Lavdimir Kapaj dhe Mikel Isaj për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga Nenet 283/a/1 e 278/2 të Kodit Penal, dhe në ngarkim të shtetasit A.D për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” parashikuar nga Neni 141/a i Kodit Penal.