FIFA, Infantino zbulon sfidat e së ardhmes

28.12.2016 19:52:09

Gianni Infantino bën bilancin e vitit 2016 në futbollin botëror. Nga Konferenca Ndërkombëtare e Sportit në Dubai, presidenti i FIFA-s mbrojti projektet më të reja, nga moviola në fushë që do ti vijnë në ndihmë gjyqtarëve, deri te synimi për të organizuar Kupën e Botës me 48 skuadra.

Gianni Infantino

Jo të gjithë e kanë kuptuar që ndryshimi është i nevojshëm. Kemi një histori të madhe. Duhet të përqendrohemi te gjërat pozitive, duke u përpjekur të riparojmë problemet që ekzistojnë. Në futbollin e sotëm të gjithë e dinë nëse gjyqtari gabon, përveç një personi: vetë gjyqtarit. Nevojiten teste për të kuptuar nëse mund ti ndihmojmë arbitrat dhe të evitojmë situatat e pakëndshme brenda dhe jashtë fushës. Arbitri mund ti drejtohet sistemit ‘Asistenti Video i Gjyqtarit’ për të zgjidhur situatat ose të kemi gjyqtarë që janë përpara monitorit dhe mund ti sinjalizojnë. Botërori i klubeve shërbeu si një test pozitiv, mjaftuan 30 sekonda për të marrë vendimin më të mirë. Një episod mund të vendosë finalen e Kupës së Botës.

Infantino mbështeti edhe projektin e nisur prej tij te FIFA, për zgjerimin e Kupës së Botës, me 48 skuadra pjesëmarrëse.

Gianni Infantino

Kalendari duhet të mbetet i njëjti. E kemi të qartë që me klubet e tyre futbollistët luajnë shumë ndeshje, por ne mund ti rrisim, sepse futboll nuk luhet vetëm në Europë apo në Amerikën e Jugut. Takimet do të luhen në të njëjtat data ashtu si edhe sot dhe duhet të fitosh të paktën dy ndeshje për të kaluar turin. Ka edhe skuadra që duhet të luajnë 7 ndeshje në 32 ditë, për një total prej  80 takimet, 16 më tepër se aktualisht.

Infantino foli edhe për çështjen shumë të debatuar të Botërorit 2018 në Rusi. Presidenti i FIFA-s garantoi një operacion transparent, duke nisur nga shitja e biletave dhe siguroi se prej edicionit 2026 do të jetë e mundur që vendet të paraqesin kandidatura të përbashkëta.