Shqiptari dënohet në Francë: Shes heroinë për të ndihmuar familjen

28.12.2016 20:19:20

Një emigrant shqiptar në Francë është dënuar me 2 vite burg nga një Gjykatë në Francë pasi është pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së heroinës.

Sipas mediave franceze, 25-vjeçari Elsit Shahi u kap më 20 dhjetor në Albertville. Makina e tij ishte e parkuar në anë të rrugës, ndërsa në një zonë të pyllëzuar ai u pikas duke fshehur 10 mijë Euro. Në automjet iu gjetën 35 gram heroinë dhe 15 gram kokainë, shkruan Syri.net.

Gjatë marrjes në pyetje, shqiptari pranoi se është i përfshirë në trafikun e heroinës.

“E bëj sepse jam i detyruar të ndihmoj familjen. Si shumë shqiptarë, kam ardhur në Francë për të kërkuar punë, por nuk kam gjetur”, i tha 25-vjeçari hetuesve.

Elsit Shahi pohoi gjithashtu se është pjesë e një rrjeti që përbëhet nga shqiptarë që vepron në fushën e trafikut të drogës.

Avokati i tij mbrojtës kundërshtoi dënimin me burg dhe kërkoi një masë më të butë. Në fund gjykata vendosi ndaj emigrantit shqiptar 2 vite burgim, gjobë 6 mijë Euro dhe ndalim të përhershëm në territorin francez.