Fillon heqja e barrikadës mbi urën e Ibrit në Mitrovicë (Foto)

14.08.2016 10:38:29

Ashtu siç është paralajmëruar sot në orën 10 ka filluar heqja e barrikadës dhe rivitalizimi i urës kryesore të Ibrërit në Mitrovicë.

Punimet në këtë urë po fillojnë pas marrëveshjes së kohëve të fundit ndërmjet ministres për Dialog, Edita Tahiri dhe kryenegociatorit, Marko Gjuriq, implementimi i marrëveshjes nga Dialogu Beograd-Prishtinë,
lidhur me urën në Mitrovicë.

Sipas zyrës së BE-së, rivitalizimi i urës do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në lehtësimin e kontakteve ndërmjet njerëzve nga Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut dhe më tej.

“Me fillimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje, Ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Ura e Mitrovicës pritet të hapet për këmbësorë dhe për automjete në të dyja drejtimet sipas rekomandimeve nga vlerësimi teknik dhe dizajni arkitekturor për të cilin janë dakorduar të dyja palët në qershor 2015. Bashkë me të dy kryetarët e komunave, një grup punues do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht kushtet mbizotëruese politike dhe të sigurisë në ato komuna gjatë dhe pas procesit të rivitalizimit. Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, në pajtueshmëri me mandatet e tyre përkatëse, do të sigurojnë mjedis të qetë dhe të sigurt thuhet në komunikatën e zyrës së BE-së.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.