Fillon seanca për Thaçin dhe të tjerët në Gjykatën Speciale

17.12.2020 13:03:09

Ka nisur të mbahet seanca në Gjykatën Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

E njëjta do të jetë si një konferencë mbi ecurinë e çështjes, ashtu siç ishte mbajtur më 18 nëntor.

Gjyqtari i procedurës paraprake me këtë rast ka kërkuar nga mbrojtja që të dërgojë parashtresat me shkrim deri më 15 dhjetor në orën 16:00.

Ndryshe, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë në fillim të muajit nëntor. Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe.

Ndër të tjera, në pikat e aktakuzës, ndaj tyre rëndon aktakuza për krime, vrasje, tortura në lokacione si Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Volljakë, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Llapashticë, Majac, Zllash dhe të tjera.