Bashkimi Evropian këtë të mërkurë ka nënshkruar marrëveshjen që i jep Shqipërisë 15 milionë euro për ndërtimin e shkollave që u shkatërruan nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Në këtë ceremoni e cila është realizuar online në kuadër të situatës në të cilën ndodhet vendi për shkak të pandemisë kanë marrë pjesë ambasadori i BE-së Luigi Soreca, përfaqësuesja e UNDP-së Limya Eltayeb, zv/ministri i Arsimit Oltion Rrumbullaku dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
Ambasadori Soreca është shprehur se në këtë marrëveshje bëhet fjalë për 15 milionë euro të cilat do të përdoren për ndërtimin e 22 shkollave që u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit.
NDër të tjera ambasadori ka theksuar se shkollat do të ndërtohen sipas standarteve ndërkomëbtare dhe se ky program do të shtrihet dhe për institucionet e tjera arsimore dhe në Tiranë.
“BE ka mundur që të rikonfirmojë shifrën 15 milionë euro, dhe premtimin e bërë prej 115 milione euro të nënshkruar më 17 shkurt në konferencën e donatorëve. Ne do i qëndrojmë në krahë Shqipërisë në këto momnete të vështira dhe do japim kontributin e duhur për rindërtimin pas tërmetit. Pjesa e parë do të ndihmojë 22 shkolla në pesë zona në Durrës, Kavajë, Kurbin, Kamzë dhe Krujë. Gjithashtu ne do të vijojmë me zbatimin e programit për rindërtimit të shkollave dhe do të vijojë dhe në zonat e tjera jo vetëm në Tiranë”, ka thënë Soreca.
Në fjalën e tij ministri Ahmetaj ka falenderuar Soreca-n për ndihmën, ndërsa theksoi se me këto fonde do të ndërtohen 22 shkolla në 5 zona të dëmtuara si dhe do të rikonstruktohen mbi 100 shkolla.








































