Flet babai i ushtarakes së vrarë në Letoni: 10 vite në FA, ja ç’më tha në mëngjes para tragjedisë

07.05.2019 12:44:18

Muharrem Hasanaj, Babai i nëntetares Zarife Hasanaj ka thyer heshtjen një ditë pas ngjarjes së kobshme që i mori dritën e syve, vajzën e tij në lule të rinisë.

Në një prononcim përmediat, Hasanj rrëfeu se e kishte përcjellë të bijën në mision më 22 dhjetor për të mos e takuar më kurrë.

Babai i 32-vjeçares tha se e bija punonte në ushtri prej 10 vjetësh dhe nga misioni i radhës i kishte mbetur vetëm një muaj.

“Dje në mëngjes para ngjarjes fola me të. Më tha që ishte mire dhe do të shkonte në punë”, ka rrëfyer Hasanaj.

“Fatin e vajzës sime mos ta ketë kush. Specialiteti i saj ishte të pastronte vendin nga minat, por i ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte. Takimin e fundit me të e kam pasur në 22 dhjetor kur e përcolla në Rinas për në Letoni. Pas asaj dite flisnim vetëm në telefon. Na merrte çdo dite dhe na pyeste a jemi mirë. Edhe dje në mëngjes folëm. Me tha se ishte mirë dhe se do të shkonte në punë. Pastaj mora lajmin e asaj që ndodhi. Vajza punonte prej më shumë se 10 vjetësh në ushtri. Ishte dëshira e saj. I pëlqente uniforma. Ma ka shprehur këtë dëshirë para 10 vjetësh kur dorëzoi dokumentet për t;u pranuar në ushtri. Unë si plak dhe malësor nuk isha dakord me këtë zgjedhje por përsëri e pranova, sepse të rinjve nuk ua pengon dot dëshirat”, ka shtuar ai.